Aktualitet Mjeku Kalo: Janë shtuar rastet e të rinjve të shtruar në spital...

Mjeku Kalo: Janë shtuar rastet e të rinjve të shtruar në spital me COVID-19

Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo thotë se, kohët e fundit janë shtuar të rinjtë e shtruar në Spitalin Infektiv.

Doktori i njohur ka publikuar në profilin e tij në Facebook, skanerin e mushkërive për dy prej të rinjve të shtuar, duke treguar dëmin e madh që u ka shkaktuar virusi.

“Një dukuri e veçantë në ecurinë e këtyre ditëve të kësaj “flame mbarë botërore”, janë shtimet e rasteve në të rinjtë, nën 35 vjeç. Kurrë mos të harroni se Sars-Cov2/Covid-19 prek çdo moshë si dhe lëndon me rrezik jetë marrëse jo vetëm ata me sëmundje shoqëruese dhe mosha të treta”, shprehet mjeku Kalo.

Ai u bën apel qytetarëve që të zbatojnë distancimin fizik, higjienën personale si dhe të përdorin maska në ambientet të mbyllura dhe të mbipopulluara.

“Tirana këto kohët e fundit sikur “nuk e ndjen fare” erën e dezinfektimit të rrugëve dhe të mjediseve publike, e jo vetëm. COVID-19 nuk ka përkatësi partiake dhe ajo nuk “përkëdhel” të majtët apo të djathtët”, nënvizon Kalo.