Shëndet Mjeku Pipero: Në rastin më të mirë, epidemia zgjat 4 muaj

Mjeku Pipero: Në rastin më të mirë, epidemia zgjat 4 muaj

Mjeku Pëllumb Pipero thotë se për gjendjen e 33 personave të infektuar një përgjigje më e saktë mund të jepet 9 ditë pas mbajtjes në vëzhgim. I pyetur se sa mund të zgjasë epidemia e COVID-19, Pipero theksoi se në rastin më të mirë do të zgjasë 4 muaj.

“Kjo pandemi i ngjan një ajsbergu, ne ende shohim vetëm majën. Studimet tregojnë se nëse kemi një rast në dorë, janë dhe 10 raste të tjera të pazbuluara. Përgjithësisht njohim vetë ata që kanë ankesa dhe shfaqin simptoma, kurse numri real 10-15 herë më shumë se sa numri i të konfirmuarve. Në rastin më të mirë kjo epidemi mbyllet në 4 muaj dhe askush nuk duhet të nxitojë të thotë do mbyllet për kaq apo për aq kohë”, deklaroi për Euronews Albania mjeku i njohur infeksionist.

Duke folur nëse masat ishin të vonuara, mjeku i njohur tha se, sot e rëndësishme është të merremi me atë çfarë po ndodh pasi virusi po prek të gjithë botën shumë më tepër seç ishte menduar në fillim.

“Askush nuk është i përjashtuar nga mundësia për t’u infektuar nga ky virus. Ashtu si shumica nuk manifestojnë simptoma, por janë burim për përhapjen e infeksionit”, tha z. Pipero.

I pyetur nëse mund të ketë një valë të dy të virusit që mund të prekë dhe të rinjtë, doktori tha se, studimet e fundit tregojnë se, përhapja ndodh ngadalë dhe më pas vjen shpërthimi i menjëhershëm.

“Studimi që më erdhi nga Italia, tregon se kjo epidemi ka fillimisht një kurbë të ngadaltë dhe duket se ka një ritëm të ngadaltë, por më pas ka një shpërthim të menjëhershëm në 2-3 javë. Rastet në Francë kanë qenë diku tek 1400 të konfirmuara, por sipas këtij studimi numri real i të infektuarve varion nga 24 mijë deri në 140 mijë”, theksoi ai.