Aktualitet Mjeku Sulçebe: S’mund të presim imunitetin e tufës. Maskat të jepen falas

Mjeku Sulçebe: S’mund të presim imunitetin e tufës. Maskat të jepen falas

Situata e pandemisë është serioze dhe agresiviteti i virusit COVID-19 nuk është zbutur pasi jemi ende larg imunitetit të tufës. Ky ka qenë përfundimi i Akademisë së Shkencave për pandeminë.

Imunologu Genc Sulçebe, një nga autorët e studimit në fjalë tha për Euronews Albania se nga të dhënat e studimit u arrit në përfundimin se nuk mund t’ia lëmë dot spontanitetit arritjen e të ashtuquajturit imunitet i tufës, i cili është një proces i gjatë, por duhen marrë masa për të ndaluar përhapjen e infeksionit, i cili siç tha me këto ritme pritet të përhapet edhe më shpejt.

“Ne presim vazhdim të përhapjes së infeksionit. Imuniteti i tufës është një proces biologjik që me këtë ritëm, në mënyrë spontane do shumë kohë. Tashmë kemi një rritje progresive të përhapjes së infeksionit, çka rrit problematikën.

Nuk ja lëmë dot spontanitetit, duhen marrë masa për të ndaluar përhapjen e infeksionit, siç është testimi masiv, gjurmimi i kontakteve, mbajtja e maskave, duhet menduar si mundësi dhënia falas e maskave për ata që nuk kanë mundësi t’i sigurojnë.

Lënia spontane drejt imunitetit të tufës ka pasoja të rënda.  Masat duhet të përqendrohen në parandalimin e përhapjes së infeksionit, që do të na japë kohë në fillimin e aplikimit të vaksinës, që duhet të fillojë në fillim të 2021”, u shpreh mjeku.