Aktualitet Mjeti i marrë me qira mbahet “i burgosur”, prokurori nuk lëshon urdhrin...

Mjeti i marrë me qira mbahet “i burgosur”, prokurori nuk lëshon urdhrin për lirim

Prokuroria e Shkodrës, prej më shumë se 7 muajsh mban të bllokuar një mjet pa asnjë lloj vendimi. Drejtuesi i tij, i cili e ka marrë me qira, është kapur i dehur dhe është arrestuar, duke u dënuar me një muaj burg për shkelje të Kodit Rrugor.

Por makina nuk ka fituar ende “lirinë” për të mbërritur te pronari i saj. Mjeti vijon të mbahet në ambientet e FNSH-së së Shkodrës.

Adriatik Gjoka, nga qyteti i Shkodrës, i cili ka hapur një biznes të dhënies së makinave me qira, ankohet se ka dy vite që e ka hapur biznesin, por s’po e lënë lënë të punojë.

“Jap makina me qira. Qytetarët që i marrin ato konsumojnë alkool dhe Policia e Qarkullimit Rrugor i ndalon duke i gjobitur. Ndërkohë që, përveç ndalimit të qytetarëve që u jap makinat dhe ndëshkimit të tyre sipas ligjit, bllokohen edhe mjetet e mia, kur unë i kam me licencë e në bazë të të gjitha rregullave. Në tërë botën gjobitet individi dhe jo kompania”, shprehet Gjoka.

Prej muajit shtator të vitit të kaluar, Adriatikut i është bllokuar nga policia një mjet tip Benz, pasi qytetari që e kishte marrë atë kishte konsumuar alkool. Pas arrestimit të tij dhe dënimit, qytetari ka dalë nga burgu, ndërsa makina e dhënë me qira mbahet në ambientet e FNSH-së së Shkodrës, duke mos iu kthyer pronarit.

Makina mbahet e bllokuar pa asnjë lloj vendimi gjyqësor.

“Kam ardhur 5 herë nga Greqia, pasi jetoj atje, vetëm për të nxjerrë makinën nga policia, por kam mbetur sa në polici e në prokurori, e askush nuk më jep zgjidhje”, ankohet pronari i mjetit.

Për këtë çështje, qytetari tregon se ka takuar edhe vet kryeprokurorin e Shkodrës, i cili i është shprehur se nuk ka asnjë motiv dhe mundësi që makina të mbahet e bllokuar.

“Më ka dërguar te prokurorja Ariola Premçi që ka çështjen, e cila më ka thënë do ta nxjerrë sot, do ta nxjerrë nesër”, shprehet Gjoka.

Ndërkohë, ai tregon se 3 herë ka dorëzuar në prokurori kërkesa duke ia drejtuar prokurores Premçi për të liruar mjetin, por që kurrë nuk mori përgjigje. Ndërsa për ta takuar personalisht prokuroren as që bëhet fjalë.

Gjithashtu, Gjoka shprehet se ka pasur probleme edhe me mosshlyerjen e detyrimeve nga ana e klientëve, të cilët kanë shkelur kontratën e qiramarrjes dhe i ka denoncuar, por prokuroria sipas tij i ka mbyllur çështjet.

Adriatik Gjoka ka treguar për gazetarët e “Fiks Fare”:

“Vetëm pak ditë më parë më kanë bllokuar një tjetër mjet, pasi qytetari që e ka marrë me qira është kapur i pirë. Më ka ardhur gjoba prej 16.000 lekësh për të paguar dhe po kështu edhe parkingun e policisë. Ndërsa kundërvajtësi nuk është paraqitur, jam i detyruar të paguaj unë gjobat për të marrë mjetin”, përfundon Gjoka.

Pas pagimit të gjobës ai merr mjetin e dytë të bllokuar, por për mjetin e parë ende nuk ka marrë një përgjigje dhe nuk dihet se kur prokuroria do të nxjerrë vendimin e zhbllokimit.

Bisedë me policin e qarkullimit
Polici i qarkullimit – Edhe për atë të parën ky ka për detyrë, që i rrinë kot. Për makinën e kam sqaruar tash sa kohë. Ka ardhur edhe një vajzë tash sa herë edhe e kam sqaruar. Edhe i kam thënë filan prokurore e ka çështjen, shko edhe unë ba me kenë në vend tënd ku s’ka ma prokuror që ma ka mbajt makinën brenda, unë e kërkoj. U banë tash 5 – 6 muaj a 7 është turp. Po ti njat me kërku ke të drejtë, aty ke të drejtë me ba me kenë unë.
Qytetari – Cili prokurorë e ka marrë a mundesh në sistem me kërku me ditë ta ndjek?
Polici i qarkullimit – Ariola Premçi të kam thënë
Qytetari -Ariola Premçi
Polici i qarkullimit – Edhe ke shku je taku me Ariolën plus edhe ajo vajza ( punonjësja e firmës ) edhe ju ka thënë është çështja në gjykim.
Qytetari – Atë ja kam ba kërkesës edhe sot
Polici i qarkullimit – Ai zotnia më duket se e kam parë edhe jashtë, më duket se e ka kryer dënimin ai shkelësi
Qytetari – Po
Polici i qarkullimit – Edhe makina jote rrinë brenda me të padrejtë. Prokurorja është dashtë me pru urdhrin e kthimit të senit ( makinës).Shtator N… V… qe ku e kina
Qytetari – Ai që e ka drejtua(qytetari që ka marrë me qira makinën). Atëherë në Shkodër 2018, muaj shtator dt. 15 ka qenë duke drejtuar mjetin tip benz me targë ….ngjyrë gri pa pajisje me leje drejtimi në gjendje të dehur. Në pronësi të shtetasit Adriatik Dodë Gjoka. Unë e kam sekuestruar këtë mjet për arsye hetimi. Sepse nesër mos më thën gjykata, zotni ku e ke mjetin që e ke konstatuar? Dhe them, qe ku është mjeti brenda. Pra janë dokumenta procedura si ndjekë kjo. Prokurorja sa ka mbyll hetimet është dashur me të kthyer provën (mjetin)

Prokurori e Shkodrës, prokuroren Ariola Premçi nuk pret njeri
Punonjësi i prokurorisë – Vetëm me shkrimë ë? E din ti
Qytetari – A s’mund ta takojmë dy minuta hiç? Vetëm dy minuta një fjalë
Qytetari – Të kuptoj.
Punënjësi i prokurorisë –Çdo gja me shkrim do të bahet
Qytetari – Në rregull.
Punonjësi i firmës – E kena ba me shkrim
Punonjësi i prokurorisë – Prite përgjigjen. Sa ditë ka?
Punonjësi i firmës – Ka tash 20 ditë se e kena ba
Qytetari – Ka gati tjetrën me dhanë
Punonjësi i prokurorisë – A don me dorzu?
Qytetari – Po
Punonjësi i prokurorisë – S’e du me shku sipër.
Qytetari – Me vula a si dorëzohet thjeshtë?
Punonjësi i prokurorisë – Si?
Qytetari –A ka ndonjë vulë
Punonjësi i prokurorisë – Po ja vëm nji këtu tek kopja
Qytetari – Vetëm kopje asnjë gjë tjetër?
Punonjësi i prokurorisë – Po
Qytetari – Ok
Punonjësi i firmës – A din gjë kur mundet të na kthej përgjigje?
Punonjësi i prokurorisë – Mos më pyet ma mirë!

Kryerja e pagesës, zhbllokimi i mjetit të dytë
Polici i qarkullimit – Neni 203 i Kodit rrugorë thotë kur gjoba nuk likuidohet brenda afatit mjeti bllokohet në pikën e bllokimit deri kur të likuidohet gjoba. Është marrë masa për këtë makinë. Çfarë ndodh në këtë rast kur nuk e kanë rregulluar mirë aktin, aktin normativ që makinën lëshojnë, këtë sepse ai e merr makinën, ka bërë një shkelje ai ka ardhur e firmosur fletën jeshile, atë gjobën dhe s’ka ça… më fal për shprehjen pse me ardhë në komision këtu hiç. Komisioni ka nji, është udhëzimi një procedura që pret dhjetë ditë. Brenda dhjetë ditëve ai merr vendimin kush nuk paraqitet ai e merr në mungesë dhe çon njoftimin zyrtar, a më kupton? Tani ajo gjobë ka mbet për atë makinë, ai ja ka çuar makinën ati dhe si ka thënë asnjë send. Tani ne, shteti donë me vjelë lekët a më kupton?Tani ça ka me ba në këtë rast?! Është ai ligji, ligji i solidaritetit, neni për solidaritetin ose e paguan pronari ose shkelësi ligjërisht. Pra sot që ja kanë shti makinën këtij brenda s’mundet me ta lëshuar kërkush.

Fiksi – Personi që ka vendosur gjobën ka konstatuar drejtuesin e mjetit, drejtuesi i mjetit ka emër, mbiemër tek patenta.

Polici i qarkullimit – Po.

Fiksi – Por edhe makina ka dokumentet e veta që do të thotë që ka pronësi, kujt i përket.

Polici i qarkullimit – Po, po.

Fiksi – I përket shoqërisë që jep me qira.

Polici i qarkullimit – Po, të kuptoj.

Fiksi – Cila është arsyeja që e kanë ndaluar?

Polici i qarkullimit – Sepse nuk ka likuiduar gjobën. Del në sistem si i hyn targës . Ky është sistemi, zëre se unë jam në sistem këtu, këqyre, ma jep targën e makinës.

Qytetari -Aaa….

Polici i qarkullimit – Adriatik Gjoka, atëherë e ka likuiduar ai që ka shkuar atje. Tani me hy tek shefi i qarkullimit që është aty me marrë çelësat e automatikisht me nxjerrë makinën.