Kryesore Mogherini-Hahn: Djegia e mandateve minon progresin që vendi ka bërë në rrugën...

Mogherini-Hahn: Djegia e mandateve minon progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt BE

Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, dy zyrtarët më të lartë evropianë të politikave të jashtme dhe zgjerimit, theksojnë se djegia e mandateve pengon funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe minon rrugën drejt BE-se.

Përmes një deklarate zyrtare, ata dënojnë thirrjet për dhunë duke nënvizuar se opozita duhet të kthehet në Kuvend, shkruan “TemA”.

“Duke pasur parasysh protestat në Shqipëri, ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore si një tipar thelbësor dhe një vlerë thelbësore e demokracisë.

Gjithashtu ne fuqimisht denoncojmë çdo retorikë nga udhëheqësit politikë që bëjnë thirrje për dhunë.

Për më tepër, vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri.

Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të merren përpara, e jo të bojkotohen.

Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të shtetasve shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian pret që të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunshme dhe deklaratat incendiare.

Ne po ashtu presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, shkruhet në deklaratën e përbashkët.