Bota Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, Parlamenti i Malit të Zi shkarkon Ministrin e...

Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, Parlamenti i Malit të Zi shkarkon Ministrin e Drejtësisë

Tronditet koalicioni qeverisës në Mal të Zi. Parlamenti shkarkoi ministrin e drejtësisë, Vladimir Leposaviç, i cili disa muaj më parë mohoi gjenocidin e ushtrisë serbe në Srebrenicë të Bosnjës.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi dhe një rezolutë që ndalon mohimin e masakrës së vitit 1995, kur ushtria serbe vrau mbi 8 mijë burra dhe djem të pafajshëm. Në rezolutë përcaktohet dhe 11 korriku si datë përkujtuese për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Shkarkimi i ministrit, me kërkesë të kryeministrit Zdravko Krivokapiç, ka lëkundur partnerët e koalicionit.

Drejtuesit e partisë Fronti Demokratik, që zotëron numrin më të lartë të mandateve, njoftuan se po punojnë për një marrëveshje të re për qeverisje, teksa nuk përjashtohet dhe bashkëpunimi me partinë më të madhe opozitare, të presidentit Milo Gjukanoviç. Ndërkohë nuk përjashtohen as zgjedhjet e parakohshme nëse negociatat dështojnë.