Kulturë Moikom Zeqo: Hierarkia e vlerave letrare varet nga talentet, jo nga sistemet...

Moikom Zeqo: Hierarkia e vlerave letrare varet nga talentet, jo nga sistemet politike

INTERVISTE E MOIKOM ZEQOS DHENE KRITIKUT FATMIR MINGULI)

 

-Nëse letërsia, i dashur Moikom, në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar nuk do të kishte pësuar shtrëngesa të tmerrshme ideologjike dhe dogmatike, persekutimin e lirisë krijuese, mendoni se do të kishte patur zhvillime më të mëdha dhe cilësore?

 

-Një filozof dhe poet i quajtur Paul Valery, ka thënë se historia nuk bëhet asnjëherë me “sikur”.

Historia është një akt i kryer.

Ideja se si do të ishte bërë historia sikur të kishte ndodhur ndryshe, i takon vetëm arsyetimit të mirëfilltë, por jo asaj që është kryer.

Jam i bindur që, një lloj liberalizmi, një lloj frymëmarrje që pati letërsia në vitet shtatëdhjetë, po të mos qe anatemuar do të kishte dhënë rezultate shumë herë më të mëdha.

Madje do të ndryshon diçka thelbësore në substancën e letërsisë shqipe.

Por i tmerrshmi plenum i katërt ndodhi.

Tashmë masakrimi i letërsisë dhe kjo terapi inkuizicioniste, flet për plagët e letërsisë.

Etapa nga plenumi i katërt deri më 1991, është e gjatë dhe më absurdja, pa krahasim edhe me të tëra vendet e tjera evropiane, ndaj dëmi ka qenë i pallogaritshëm.

Ky është fakt.

Por, dialektika e këtij fakti është gjithashtu e çuditshme. Pikërisht në fillim të viteve shtatëdhjetë kur shkruhej poezia më interesante, më europiane e letrave shqipe.

Kam thënë se, historia e modernitetit të poezisë shqipe ka tre stacione kryesore: poezia moderne e viteve tridhjetë (ekspresionizmi i Migjenit të kujton ekspresionizmin e Georg Trakli-t0, poezia e viteve gjashtëdhjetë, që bëri një revolucion estetik, por për fat të keq e dyzuar, edhe me programin politik (poemat jubilare, partishmëria, etj.) dhe poezia e viteve shtatëdhjetë, e cila në njëkohësi edhe me poezinë në Kosovë i largohet estradizmit politik, formave butaforike të politikës, duke e afruar poezinë shqipe me rrafshin e poezisë më të mirë të kultivuar edhe në Europë.

Për fat të keq kjo poezi pati një goditje politike, por edhe shkrimtarët e njohur të kohës nuk u treguan të gjerë, të guximshëm, për t’i përkrahur kolegët e goditur.

Poezia e viteve  shtetedhjete qe estetikisht me e rendesishme ,se poezia e viteve gjashtedhjete.

Shume me teper!

Poezia e viteve shtetedhjete  qe e rrafshit te poezise europiane.

Po shkrimtaret e njohur te viteve gjashtedhjete nuk e pershendeten dhe nuk e perkrahen fare  poeziene e viteve  shtetedhjete.

Perkundrazi ne artikujt e  tyre,qe perkrahnin publikisht pleniumin e katert i kritikuan haptas dhe pa meshire  poetet e viteve shtatedhjete, duke me perfshire edhe mua, qe isha kryesor, i kesaj poezie te emancipuar ,cilesore dhe qe perjashtonte estradizmin politik te poezise ne pergjithesi.

Pse vepruan keshtu ?

Per shkak  te klientelizmit politik ?

Apo te shijeve te limituara estetike?

Tashmë kjo çështje i takon hulumtimeve te kujdeseshme dhe serioze dhe natyrisht  historisë së letërsisë.

 

-Mbas vitit 1991, me shkatërrimin e sistemit totalitar dhe të pluhurizimit të metodës së realizmit socialist, a mendoni se letërsia shqipe ka arritur lartësi cilësore, ashtu siç duhet?

 -Kalimi i Rubikonit politik, mbas vitit 1991, është tejet i rëndësishëm,por edhe i nderlikuar, eshe konfuz, është një kapërcim  referencial dhe global,gjithashtu  u krijuan kushtet shoqërore, për një liri të pakufizuar krijuese si posibilitet,ndonese, jo  gjithmone si realitet.

Por çështja e talentit, është një çështje, që nuk përcaktohet nga sistemet politike.

Kjo gje habiterisht dhe paradoksalisht eshte shume e veshtire te perceptohet dhe te kuptohet ne thelb.

Kritika shqiptare pothuaj nuk ka folur dhe ka heshtur marrezishem ne kete pike inkandeshente.

Kritika formale akademike as nuk e kupton se sa e jashtezakoneshme qe poezia shqipe e viteve shtetedhjete edhe ne raport ne poezine e viteve gjashtedhjete.

Diktaturat, apo sistemet demokratike,-qe jane te kontaminuar frikeshem nga autoritarizmi, janë autentike me historinë politike.

Kurse talenti letrar dhe artistik i takon historisë së artit dhe letërsisë.

Pra,absolutisht tjeter rrafshi.

Nuk mund të jenë identike këto dy histori, ndonëse nuk janë të shkëputura.

Analistët, me të drejtë do të tregojnë mynxyrën e diktaturave, shtypjet denigruese të politikës.

Do të shënohen edhe përgjegjësitë për konjukturat apo implikimet politike.

Por, në historinë e artit dhe të letërsisë do të mbeten veprat më të arrira, pavarësisht kronologjisë historike.

Mendoj se, letërsia e pesëdhjetë viteve në monizem  ka patur arritjet e saj, të cilat nuk kanë të bëjnë me diktaturën, sipas një identifikimi mekanik.

Aq më tepër që nuk mund të ketë boshllëk për një etapë gjysmëshekullore.

Tejet aktive dhe te rendesishme.

Mbas vitit 1991, liria krijuese veproi sipas një paradoksi. Shumë talente të njohur në diktaturë, nuk e përballuan lirinë, sepse qenë të rutinizuar, apo të narkotizuar me mungesën e lirisë.

Talentet e vërtetë e përballuan, dhe liria krijuese qe gjithçka për ta.

Mediokriteti në art dhe letërsi, armikun më të madh të të gjitha kohërave ka lirinë krijuese.

Ndaj nuk duhet ngatërruar asnjëherë kultura e vërtetë nga subkultura.

Është për t’u përshëndetur që forcat krijuese të shqiptarëve janë në lëvizje.

Ka shumë njerëz të talentuar që, mbas vitit 1991, tregojnë shpresa për një perspektivë europiane të letërsisë shqipe, mendoj se letërsia ka ecur përpara këto vite, vetëm me shëmbëlltyrën e veprave më të arrira estetike.

Kurse prurjet e mëdha të mediokritetit janë thjesht një çështje tregu.

 

-Mendoni se hierarkitë letrare dhe artistike janë të përcaktuara njëherë e përgjithmonë?

-Ka emra të hierarkisë që janë dhe do të mbeten në historinë e letërsisë shqipe.

Kush mund t’i shmangë emra të tillë si Barleti,Bicikemi,Martin Segoni, Buzuku,Budi, Bogdani, Bardhi, Onufri, Shpataraku, David Selenica, De Rada, Naim Frashëri, Pashko Vasa, Zef Skiroi, Gavril Dara, Serembe, Stratigoi, Asdreni, Fishta, Noli, Mjeda, Poradeci, Migjeni, Nonda Bulku, Mitrush Kuteli, Dhimiter Shuteriqi, Ali Asllani, etj., por të tillë do të mbeten në hierarki edhe emra të përjashtuar padrejtësisht si, Koliqi, Camaj, Bilal Xhaferri, sidomos Faik Konica.

Një nga intelektualët më të shquar, më eruditë dhe mendjemprehtë ,  poeti  Zef Skiroi, i cili gati nuk përmendet fare, etj.

Janë edhe shumë emra të tjerë që duhen përmendur me nderim.

Por ne nuk kemi akoma histori të vërteta të letërsisë shqipe, është e nevojshme që të bëhen histori gjithëpërfshirëse dhe shkencore të historisë së letërsisë, duke mos harruar edhe atë që është thënë dhe thuhet e letërsisë shqipe të të gjithë trojeve etnike, ku hyjnë emrat e ndritur të shkrimtarëve dhe personaliteteve të Kosovës, etj.

Shkenca letrare ka kështu jo thjesht zbulimin e “arkeologjisë” së letërsisë, por njohjen e tërë substancës letrare dhe emrave kontribues, që duhet të kenë një vlerësim të padiskutueshëm.

Mendoj se shkrimtarët, të gjithë, pavarësisht pozicioneve politike, kanë vendin dhe rolin e tyre në historinë e letërsisë.

Të gjithë do të jenë bashkë, Kadareja, Agolli, Rreshpja, Jakov Xoxa, Fatos Arapi, Kuteli, Shuteriqi, Marko, Abdihoxha, Spasse, Trebeshina, Musaraj, Gjata, Koreshi, Jorgaqi, Spahiu, Anton Papleka, KociPetriti, Faslli Haliti, Hiqmet Mece, Mato, Karadaku, Qurku, Sherif Bali, Naum Prifti, Natasha Lako, Faik Ballanca, Zef Zorba, Pipa, Esat Mekuli, Pashku, Shkreli, Podrimja, Deda, Fahredin Gunga, Rugova, sidomos Rexhep Qosja, Shkreli, Dedaj, Beqir Musliu, Starova, Kraja, etj.

Lista e këtyre emrave nuk është shteruese, prandaj edhe emra të tjerë të ndritur të brezave më të rinj që  janë pak, kanë vendin e tyre të respektuar ,megjithate ,në kete  hierarki.

Por, ai që i përcakton përfundimisht dimensionet e kësaj hierarkie është vetë historia, jeta.

Mos te harrojme kurre,-eshte vete rendi estetik, me i eperm dhe percaktues ne  lidhje me ameshimin artistik.

Hierarkitë nuk i caktojnë njerëzit e veçantë,-kritiket medioker-jo qe jo !

Karakteri subjektiv i shijeve, nuk ka të bëjë fare me hierarkinë që krijon historia e letërsisë, e cila sipas Jakobsonit , është gati një sistem autonom i brendabrendshëm.

Unë më tepër përqendrohem në simbolikën e shëmbëlltyrave.

Shumë shkrimtarë të shquar, që nuk ua kam përmendur emrat, kanë të drejtën e kësaj loje të brendshme autonome të letërsisë për fiksimin e vlerave të tyre.

Kemi të bëjmë me një sistem të hapur, përfundimisht dhe përjetësisht.

Po herarkite nuk percaktohen aspak nga sistemet ekonomike dhe politike.

De Rada eshte nje nga poetet me te medhenj europiane ne shekullin e XIX.

Migjeni eshte shkrimtari me i madh konceptual i shekullit te XX.


-Ç’rol mund te  luante Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë,-qe tani prej shume vitesh nuk ekziston me-  dhe a mund te ribehet-si mendoni ju,  i nderuari Moikom ?

-Unë nuk besoj në funksionet tautologjike.

Pra,perseritese!

Nuk mund të rindërtohet roli i kësaj organizate , ashtu siç ka qenë.

Po eshte  turp qe  jemi i vetmi vend te bote, –ku nuk eshte nje organizate  per shkrimtaret dhe artistet,-ku nuk ka asnje organ letrar, gazete, apo reviste letrare per krijuesit,qofte edhe piktore,muzikante ,aktore,kineaste etj etj

Ky eshte nje absurditet i papare dhe pa nje te dyte  ne boten e qyteteruar.

Pikerisht Ministria e Kultures e uzurpoi godinen,  qe eshte prone juridike e Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqiperise-akt gjithashtu absurd dhe antikulture.

U shkaterua dhe u vodh barbarisht biblioteka e pasur e kesaj godine-qe ishte pasuri e patjetersueshme kombetare,-u prish arkivi i gazetes “Drita “ dhe revistes “Nentori”.

Statusi i njeriut te kultures eshte gati  xero nga  pushtetaret medioker dhe nga politika e dites,- nuk ndodh keshtu ne asnje vend europian.

As  afrikan, apo aziatik.

Te drejtat e autorit neperkemben.

E tmerreshme!

Por edhe e pabesueshme!

Autoret,e kam fjalen dhe per autore te talentuar,duhet  te japin para per te botuar librat e tyre.

Gati eshte fatkeqesi dhe mjerim te jesh shkrimtar ne Shqiperi.

Në epokën demokratike, roli i kësaj organizate duhet të  rikonceptohej dhe te ishte,-dhe shpresoj, qe nje dite edhe te jete ,- ashtu siç janë organizatat analoge në të gjithë botën e qyteteruar.

Pika referimi të veprimtarive, të njohjeve, të diskutimeve, por jo pika përcaktuese.

Talenti ka jetën e pavarur nga çdo lloj organizate të këtillë.

Shpresoj vetëm në një organizatë të hapur, pa shtrëngesa, absolutisht pa direktiva, pa mllefe, pa përjashtime dhe pa klane.

Një shoqëri e hapur sipas konceptit të Poperit.

Kjo hapje është forca.

Mbyllja është e kundërta.

 

-Faleminderit !