Sport Momenti magjik për Quagliarellën, Mancini e thërret në kombëtare

Momenti magjik për Quagliarellën, Mancini e thërret në kombëtare

Fabio Quagliarella po përjeton një moment fantastik në karrierën e tij dhe tashmë në moshën 36-vjeçare është gati t’i rikthehet kombëtares italiane. 16 golat e tij në këtë sezon të Serisë A konfirmojnë potencialin e këtij sulmuesi, që duket se po sfidon vitet.

Një ecuri e tillë ka bindur edhe teknikun e përfaqësues së të kaltërve që t’i besojë repartin e avancuar një lojtari me eksperiencë, që pavarësisht moshës, nuk ka humbur asnjë grimcë të grintës që ka treguar të jetë që në fillimet e tij.

Në këtë mënyrë trajneri Mancini ka vendosur ta grumbullojë tashmë për seancat stërvitore, duke shënuar kështu rikthimin e lojtarit të Sampdorias në Kombëtare, pas katër vitesh mungesë, duke qenë se grumbullimi i tij i fundit i ka ndodhur në tetor të 2015-ës, kur në stolin e Italisë qëndronte Conte.

Ndërkohë që për herë të fundit prezenca e tij në fushë me fanellën e kaltër ka ndodhur në 2010-ën për sfidën Rumani-Itali. Quagliarella numëron 25 prezenca me përfaqësuesen, ku ka shënuar 7 gola. Me atë që po tregon në fushën e blertë, sulmuesi italian nuk mund të injorohet dhe për më tepër shihet si një shembull pozitiv edhe për brezin e ri.

Tashmë shanset që ai të zbresë në fushë me përfaqësuesen për sfidat e marsit përballë Finlandës dhe Liechtenstein, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2020-ës, janë të mëdha. Më shërbimet e tij, trajneri Mnacini mund t’i japë zgjidhje një ngërçi që ka përndjekur këtë kombëtare përgjatë kohëve të fundit, pikërisht atë të finalizimit.