Politika Monika Kryemadhi: Jam përgjuar nga Saimir Tahiri

Monika Kryemadhi: Jam përgjuar nga Saimir Tahiri

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka befasuar sot me një deklaratë ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në një bisedë me gazetarët Çim Peka, Arion Sulo dhe Bledian Koka, ajo ka treguar se pajisja e përgjimit IMSI capcher që është përdorur për përgjime në Tiranë është futur me anë të drejtorisë së Burgjeve dhe më pas Saimir Tahiri e përdori për përgjime.

“Ju e dini shumë mirë që aparatura e përgjimit hyri nëpërmjet Drejtorisë së Burgjeve, që e përdori Saimir Tahiri. Kështu që unë nuk kisha asnjë informacion që të përgjoja as drogaxhinjtë, as trafikantët, as politikanët. Përkundrazi, kam qenë viktimë e përgjimit”.

Jeni përgjuar nga zoti Tahiri?

“Nga zoti Tahiri, nga ai tjetri i SHIK-ut, Rama. Nuk e kam problem fare unë atë historinë e përgjimit, biles më mirë. Se ajo të mban edhe në tempus”, deklaroi Kryemadhi.

E pyetur nga gazetari Koka nëse edhe ajo ka rënë viktimë e përgjimeve, Kryemadhi e ka pranuar që ‘po’, ndërsa shtoi se edhe tani po bëhen përgjime.