Kulturë Monografia mbi Salgarin e historianit të artit Gripshi

Monografia mbi Salgarin e historianit të artit Gripshi

Gjergji Kajana interviston Ph.D. Oltsen Gripshi –

Monografia mbi krijimtarinë artistike të shkrimtarit veronez Emilio Salgari, shkruar nga historiani i artit Oltsen GRIPSHI e botuar italisht, lindi krejt papritur siç do ta lexoni më poshtë në këtë intervistë të parë rreth kësaj monografie.

Z. Gripshi si lindi ky libër titulluar “Emilio Salgari dhe romanet e tij ilustruar nga Alberto Della Valle”?

Ky studim monografik lindi krejt papritur, ndërkohë që punoja në sektorin e restaurimit të librit antik në Bibliotekën Shtetërore të Veronës gjatë vitit 2009. Një vendtakim mbresëlënës për mua, i rrethuar nga mijëra libra antikë, mijëra autorë të së kaluarës dhe të së tashmes. Ai që do të ndikonte thellë tek unë ishte shkrimtari veronez Emilio Salgari. Një shkrimtar, i cili në një jetë tepër të shkurtër arriti të shkruante 82 romane dhe 24 tregime, ku ndër to dy ia ka kushtuar Shqipërisë. Këtu zë fill hulumtimi i kësaj monografie.

Cila ishte shtysa dhe përse?

Shtysa ishte tepër e thjeshtë, gati e pavetëdijshme që në çastin kur lexova për herë të parë dy tregimet kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tregime të cilat i zbulova, duke shpluhurosur të gjitha dorëshkrimet e shkrimtarit Emilio Salgari të ruajtura me shumë kujdes në Bibliotekën e Veronës, nga ku dhe shkrimtari kishte shkruar të gjithë krijimtarinë e tij letrare. – Ajo çfarë e bëri tejet të veçantë dhe mbresëlënëse njohjen time me shkrimtarin veronez ishte se ai nuk kishte ardhur asnjëherë në tokën shqiptare apo siç e quan shpeshherë “Il paese delle aquile”. Por gjithçka ka përshkruar në ato dy tregime i ka lexuar dhe i ka parë, duke shfletuar atlaset e kohës të cilët paraqisnin kostumet, traditat, pozitën gjeografike dhe besimet e popullit shqiptar. Dhe ky aspekt me mrekulloi aq shumë sa nisa të hedh skicat e para mbi këtë monografi. E gjitha filloi natyrshëm, sepse mënyra se si shkrimtari i kishte shkruar ato dy tregime më la një gjurmë të thellë në kujtesë dhe, shpeshherë mendoja se si mundet një i huaj pa shkelur asnjëherë në Shqipëri, pa njohur temperamentin e popullit të këtij vendi, doket, traditat dhe gjithçka tjetër të përshkruaj aq bukur dhe me aq dashuri vendin e shqiponjave.

Çfarë përshkruan shkrimtari italian në ato dy tregime për Shqipërinë dhe si?

Mendoni pak që në ato dy tregime njoha edhe unë më shumë për Shqipërinë. Dy tregime të cilat nxirrnin në pah jetën, virtytet, kostumet dhe besimet e shqiptarëve në kapërcyell midis shekullit të XIX dhe XX. Në tregimin e parë “Në kufinjtë e Shqipërisë”, shkrimtari përshkruan historinë e një dashurie të pamundur gjatë luftrave për territore mes popujve të Ballkanit, nga gjysma e dytë e shekullit të XIX, ku protagonistë ishin një djalë shqiptar syshkruar i besimit islam me emrin Osman dhe një vajzë e dlirë me emrin Sava bullgare ortodokse. Ndërsa në tregimin tjetër “Malësorët shqiptarë”, përshkruan jetën dhe antropologjinë e shqiptarëve në Alpet e Veriut. Tregime të shkruara me një gjuhë të thjeshtë, lirike dhe plot ndjenjë, aq sa kthehen në një dëshmi të rrallë dhe të pazëvendësueshme për të kuptuar më mirë se si ishte Shqipëria dhe shqiptarët asokohe.

Z. Gripshi, ju jeni doktor i shkencave në Histori Arti, në çfarë këndvështrimi e keni sjellë këtë hulumtim shkencor?

Kjo monografi së pari nxjerr nga harresa dhe mos njohja për herë të parë dy tregime shumë të bukura, por dhe shumë të rëndësishme për ikonografinë shqiptare në kapërcyell midis shekullit XIX dhe XX. Kjo falë edhe rëndësisë së shkrimtarit Emilio Salgari, si një ndër autorët më në zë të letërsisë së fund shekullit XIX, ku ndër romanet e tij më të njohur është “Sandokan”, i cili më pas u bë edhe një nga serialet e filmave televizivë më të suksesshëm të vitit 1976 në Itali. Një film me regji të Sergio Sollima dhe në personazhin kryesor në rolin e Sandokan luante aktori indian Kabir Bedi. Së dyti ky hulumtim shkencor tenton të analizojë të gjithë rrugëtimin krijues dhe artistik të shkrimtarit, duke e vendosur veprën e tij letrare në një excursus krahasues. Një hulumtim sa historik fakt-mbledhës, aq dhe analitik-përshkrues së gjuhës së përdorur në trajtimin e shumë elementëve nga jeta shqiptare, antropologjia kulturore dhe etnografia. Boshti qendror i kësaj monografie nuk është vetëm sjellja për herë të parë për lexuesit shqiptarë e të huaj të dy tregimeve për Shqipërinë të shkrimtarit Salgari, por dhe analizimi i kostumeve dhe i ilustrimeve të jashtëzakonshme të realizuara nga ilustratori napoletan Alberto Della Valle, si një nga ilustratorët e fundit me të cilin shkrimtari veronez bashkëpunoi për ilustrimin e romaneve dhe tregimeve të tij para se të kryente vetëvrasjen në moshën 31-vjeçare në Torino nga depresioni. Ashtu si Emilio Salgari edhe ilustratori i tij Alberto Della Valle arriti ta pikturonte Shqipërinë, kostumet dhe skena nga jeta e shqiptarëve vetëm nëpërmjet imazheve të revistave, librave dhe atlasteve të kohës që gjendeshin në Bibliotekën Shtetërore të Napolit.

Cilës moshë i drejtohet ky studim shkencor me në qendër dy tregimet për Shqipërinë të Emilio Salgari-t?

Padyshim ky studim i përket thuajse të gjitha moshave. Duke filluar nga adoleshentët të cilët do të përhumben ëmbëlsisht në një histori të bukur dashurie mes dy të rinjve gjatë luftërave ballkanike për territore në shekullin XIX, studentëve të letërsisë, shkencave njerëzore (humane) dhe arteve pamore. Një mundësi e mirë kjo për t’u njohur me një shkrimtar kaq të rëndësishëm jo vetëm për letërsinë evropiane në kapërcyell midis shekullit të XIX dhe XX, por edhe për mënyrën se si ai ka arritur me shumë përsosmëri të trajtojë antropologjinë shqiptare në rrjeshtat e këtyre dy tregimeve dhe ilustrimin e tyre me kostumet kombëtare shqiptare. Dhe së fundmi ky studim e sjell për herë të parë Emilio Salgari-n në një vështrim tjetër, atë në gjirin e kulturës shqiptare, duke i dhënë atij vendin e merituar për lexuesin shqiptar. Ndonëse ky studim është botuar në gjuhën italiane nga shtëpia botuese Aemme Edizioni, por që në një të ardhme shumë të afërt do të ribotohet edhe në shqip.

Cilat janë projektet e afërta dhe a do të kemi ndonjë studim të ri nga ju?

Si historian dhe kritik arti më takon të them që mbetem gjithmonë në kërkim të horizonteve e gjurmimeve të reja rreth hulumtimit të artit dhe të estetikës si qasje filozofike kundrejt dinamikave fenomenologjike në artin bashkëkohor. Pjesë e qenësishme e kërkimeve të mia janë semiotika e artit bashkëkohor shqiptar në marrëdhënie krahasuese me zhvillimet e artit bashkëkohor në botë dhe roli vendimtar i arteve në psikologjinë e grup-moshave të sistemit parauniversitar, ku mbi të gjitha ndikimi i tyre tek fëmijët me problematikat e autizmit. Studimi i fundit që pres të botohet shumë shpjet është për historinë e artit shqiptar me temë “Peizazhi në pikturën shqiptare shek. XIX-XXI”, për të cilin kam më shumë se shtatë vite që punoj.