Sport Morata: Do të preferoja që një finale ta humbja ndaj Juves

Morata: Do të preferoja që një finale ta humbja ndaj Juves

Me shumë mundësi të mërkurën nuk do të luajë që nga minuta e parë, sepse te Real Madrid-i hierarkitë janë të qarta, por Alvaro Morata pret me ankth sfidën e Champions League-s kundër Napolit.

Është madrilen prej një jete, por nuk mund të mos ndjejë dicka të veçantë për Juventus-in.

Unë dua të fitoj gjithmonë, por e pranoj se do të isha edhe më i lumtur të mundja Napoli-n për shkak të kaluarës sime si juventin”, pranon sulmuesi spanjoll, i intervistuar ekskluzivisht nga “Corriere dello Sport”.

Pyetjes nëse do t’i pëlqente një finale kundër skuadrës së Allegri-t, 24-vjeçari i përgjigjet: ”Juve është Juve dhe gjithmonë mund të aspirojë për maksimumin. E pranoj që nuk do të më pëlqente, por për të qenë aty do të hidhja firmën. Pastaj nëse duhet të humbas një finale, do të preferoja të ndodhte ndaj Juventus-it se sa ndaj skuadrave të tjera. Por tani duhet të përqendrohemi te Napoli. Dhe nëse mendojmë që tani për një finale të mundshme, Napoli do të na dërgojë në shtëpi”.

Kush i mungon?  “I gjithë grupi i italianëve. Bonucci, Barzagli, Chiellini, Marchisio, Buffon, kanë qenë thelbësorë për përshtatjen time te Juventus-i dhe në Torino. Nëse do të kisha gjetur një dhomë zhveshjeje pak “armiqësore” nuk do të kisha bërë kaq mirë te Juventus”.

Më tej spanjolli rrëfen: “Kam vuajtur për faktin se nuk isha 100% në pronësi të skuadrës, isha i kondicionuar nga opsioni i ‘riblerjes’ dhe kjo më kufizoi pak. Sepse në disa ndeshje, klubi me të drejtë i besonte futbollistëve që kishte në pronësi, sepse e dinte që në verë, ashtu si dhe ndodhi, mund të më humbnin. Ndoshta nëse do të kisha qenë 100% i Juventus-it gjërat do të kishin shkuar ndryshe”, u shpreh Morata duke shtuar: “Unë nuk jam italian, por kam dhënë gjithçka për fanellën bardhezi dhe isha gati të qëndroja për shumë vite – vijon spanjolli disi nostalgjik – Juventusi e dinte këtë. Problemi i vetëm ishte thirrja nga Real Madrid-i që ishte ëndrra ime e fëmijërisë. Nëse nuk do të kishte ‘riblerje” do t’ju duhej të më merrnin me dhunë nga Torono”.

Te Real Madrid gjërat po shkojnë mirë, por jo shumë mirë: Morata nuk është titullar në tredhëmbëshin e Zidane. Edhe Diego Maradona ka kërkuar më shumë hapësira për të: “Ndihem krenar që ai thotë këtë për mua dhe ka të drejtë: duhet të luaj më shumë sepse të rinjtë kanë nevojë të luajnë”.