Aktualitet Mori 200 mijë euro për punësim, dënohet me 8 vite burg fierakja

Mori 200 mijë euro për punësim, dënohet me 8 vite burg fierakja

Është dënuar me 8 vite burg Migena Kajolli, e akuzuar për mashtrim duke marrë shumë të mëdha parash.

30-vjeçarja nga Fieri u dënua të premten nga Gjykata e Apelit Vlorë dhe pas marrjes së vendimit u ndalua nga policia.

“Ndalimi i 30-vjeçares u bë pasi Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin e datës 22.11.2019 e ka dënuar me 8 vite burgim, për veprat penale, “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi në bashkëpunim me pasoja të rënda”,”-njofton policia.

Kajolli së bashku me bashkëshortin e saj, Fisnikun premtonin punësim në sektorin privat kundrejt shumave të ndryshme.

Mes një jetë luksoze të bëra me paratë e fituara, çifti e kishte nisur këtë aktivitet e paligjshëm që në vitin 2016.

Po kush është Migena Kajolli?

Burrë e grua janë arrestuar në Fier në majin e vitit 2018, pasi kishin ngritur një skemë mashtrimi, ku premtonin punë në kompanitë private, duke u marrë shuma të konsiderueshme qytetarëve.

Sipas Policisë së Fierit atë kohë, çifti Kajolli nga Dërmënasi i Fierit kishte nisur aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit të personave të ndryshëm për përfitimin e parave që prej vitit 2016. Ata u premtonin qytetarëve se do punësoheshin në kompanitë private të naftës dhe i merrnin nga 2-3 mijë euro secili.

Për ta bërë të besueshme skemën e tyre të mashtrimit, mësohet se Migena Kajolli, e cila dyshohet të ketë qenë ideatorja e kësaj skeme, u thoshte personave që u kishte marrë paratë se në telefonin e tyre do të mbërrinte një mesazh konfirmimi nga kompania.

Dhe pasi kalonin disa ditë, në telefonat e personave që kishin paguar shumat e parave për t’u punësuar, mbërrinte mesazhi i konfirmimit se kërkesa e tyre për punësim ishte regjistruar në sekretarinë e kompanisë dhe po shqyrtohej.

Nga hetimet ka rezultuar se këto mesazhe konfirmimi i niste 27-vjeçarja Migena Kajolli. Ndërkohë, për të qenë edhe më të besueshëm tek personat që mashtronin, bashkëshortët Kajolli nënshkruanin edhe akte noteriale me ta se paratë jua kishin marrë në formë borxhi.

Çifti Kajolli ka 2 fëmijë dhe për këtë shkak 30-vjeçarja Migena Kajolli ishte lënë në arrest shtëpie nga ku dhe dyshohet se vazhdonte të kryente mashtrimet e saj.