Aktualitet Mos mallkoni

Mos mallkoni

Nga Miron Çako*

Fatkeqësisht njerëzit në më të shumtën e rasteve kur ndodhen në situata të vështira, të mbushur me zëmërim, shpërthejnë në mallkim ose anatema kundër bashkënjerëzve, objekteve,punës,motit, madje edhe vetes. Si në çdo gjuhë,ashtu edhe në gjuhen shqipe, këto fjalë shprehen dhe si formula mallkimi të cilat transmetohen nga brezi në brez, psh: “të hëngërt mortja”, “u bëfshë hi”,”thefsh qafën”, “prapa djellit”, e shumë të tjera si këto. Madje këto mallkime kanë hyrë kaq shumë në komunikimin e përditshëm midis njerëzve,sa edhe kur takojmë dhe urojnë njëri tjetrin njerëzit, kanë shpesh shprehje mallkimi si: “ku je mor derëzi”, ose “sa e mirë qenke bërë moj mortje”, etj.

Në veçanti, “mallkimi” mund t’i referohet një dëshire, ose një shpalljeje të tillë e shprehur nga një person me qëllim që një formë fatkeqësie t’i bashkëngjitet një personi ose shumë personave, një vendi, ose një objekti. të bërë efektive nga një fuqi e mbinatyrshme, ose shpirtërore, si një perëndi, apo perëndira, një shpirt, ose një forcë mbinatyrore, ose ndryshe është si një magji që kërkon me forca të errëta të realizojë dëshirën e lig të magjistarit, ose të atij që kërkon ndihmë prej tij. Mallkimi nëpërmjet fuqisë së fjalës, mobilizon forca që kapërcejnë fuqitë njerëzore, prandaj mallkimi zë dhe bëhet një fakt, një fatkeqësi, një tragjedi, shpesh me përmasa të pariparueshme.

Në shumë sisteme fetare që na vijnë nga lashtësia, ka lutje dhe rituale për të zënë mallkimi, ose për të ndryshuar, eliminuar,ose “thyerjen” e mallkimit.Fetë pagane,disa prej të cilave vazhdojnë deri më sot, janë të mbyllura në një rreth vicioz,me lutje dhe rituale për zënien,ose heqjen e mallkimit.

Për grekët e lashtë mallkimi ishte perëndia i zemërimit, i hakmarrjes dhe i fatkeqësisë. Xhesika Lemod, arkeologe në Universitetin e Johns Hopkins, thotë se këto mallkime i referohen perëndive të ligësisë: Ekatës, Artemisës dhe Hermesit. Në lashtësi ekzistonte mendimi se fuqia mallkuese dhe ajo e magjisë, e kishin prejardhjen nga bota e të vdekurve. Kurse mallkimet në Egjiptin e lashtë ishin kundër atyre që do të prishnin qetësinë e përjetshme të të vdekurve. Kjo ndodhte në rast se dikush do të hapte dhe gërrmonte varrin e dikujt. Prandaj këto mallkime shkrueshin në hyrjet e varreve. Duke iu referuar paganizmit, mallkimi është një dëshirë për të keqen, sëmundjen, dështimin, madje edhe vdekjen e tjetrit.

Sot ka njerëz që nuk besojnë në fuqinë e mallkimit, duke e parë atë si bestytni qesharake, ashtu si shprehet dikush: “Ka vetëm një mallkim që me të vërtetë ekziston dhe kjo është të besosh naivisht se mallkimet vërtet ekzistojnë!” (Mehmet Murat Ildan shkrimtar L-1965), por kjo nuk duhet absolutizuar, sepse dikush tjetër thotë: “Shumë njerëz nuk besojnë në mallkime, siç edhe ka shumë njerëz që nuk u besojnë zvarranikëve me pika të verdha, por nëse dikush nga ata ju kafshon, kjo nuk bën dallim nëse besoni apo jo”. (Louis Sachar shkrimtar L-1954).

Në të vërtetë ka shumë histori qëna vijnë që nga lashtësia deri në ditët tona, ku na tregojnë se mallkimi vërtet të zë. Personalisht kam dëgjuar për një ngjarje të tillë në një fshat të një zone të thellë të rrethit Elbasan, në kufi me Gramshin. Në këtë fshat të bënte përshtypje se jo vetëm rreth kishës, por kudo kishte varre dhe gurë varresh, madje për shkak të erozionit, disa prej tyre ishin të hapura edhe lehtësisht mund të dalloje eshtrat e të vdekurve nëpër monopatet e fshatit; aq shumë varre kishte. Vendi të krijonte trishtim dhe një lloj frike sikur vdekja ishte kudo. Kur pyetëm fshatarët mbi ekzistencën e kaq shumë varreve në këtë vend, ata na thanë se sipas një historie të thënë nga të parët e tyre, këto varre janë pasojë e një mallkimi, se: “në këtë fshat kishte ndodhur një vjedhje edhe kryepleqtë e fshatit kishin akuzuar si hajdut djalin e një gruaje të ve dhe për këtë akuzë e dënuan me varje në mes të fshatit. Nëna e tij, doli përpara popullit edhe mallkoi duke thënë: “nëqoftëse biri im është fajtor, humbtë shpirti i tij dhe i imi bashkë, por nëse ai është i pafajshëm, u shofshi bashkë me fëmijët, të gjithë ata që e dënuan pa faj birin tim dhe ranë dakord më vdekjen e tij”. Mbas pak kohe në këtë në vend ra kolera që i zhduki të gjithë. ”Ndoshta kjo mund të jetë legjendë, por ka shumë ngjarje dhe raste që vërtetojnë se mallkimi të zë.

Kur njerëzit e pyesnin Oshënar Pais Agjoritin (1924-1994) në lidhje me mallkimin, nëse të zë apo jo, ai u përgjigjej të interesuarve: “Po, sidomos mallkimi i së vesë”. Shenjtori vazhdon edhe thotë: “Ta dini se mallkimi i prindërve zë në të vërtetë, madje dhe zemërimi i tyre. Dhe nëse prindi nuk e mallkon fëmijën, por vetëm zëmërohet me të, përsëri fëmija nuk sheh ditë të bardhë, jeta e tij është vetëm me tortura. Ka prindër që i dërgojnë fëmijët tek djalli duke i mallkuar: ‘të martë djalli’.Kështu ia dedikojnë djallit dhe ai ka të drejta mbi ata.”

Që të të zërë mallkimi, duhet që ai që të mallkon të ketë të drejta mbi qenien e tjetrit, si autoritet hyjnor, ligjor, prindëror. Autoritetin suprem mbi çdo qënie dhe në mënyrë të veçantë mbi njeriun, e ka vetëm Zoti Perëndia i Gjithëpushteshëm, I Gjithëdrejti, i Cili ka pushtet ta bekojë njeriun kur ai i bindet Atij, dhe po ashtu ka të drejtë edhe ta mallkojë, kur njeriu rebelohet edhe gabon.

Sipas Shkrimit të Shenjtë (Biblës) mallkimi i parë erdhi mbi tokë nga Zoti, kur njeriu i mashtuar nga djalli mëkatoi duke u rebeluarduke mos iu bindur urdhërit të Perëndisë: “Ha, madje lirisht nga nga çdo pemë e kopshtit, por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, se ditën që do hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 2:16-17).Përsëri në Shkrimit e Shejntë, Zoti në gjykimin e Tij të drejtë në fillim mallkoi djallin: “Meqenëse bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate” (Zanafilla3:14).Ky mallkim ishte një gjykim përfundimtar për djallin, sepse djalli mëkatoi ndaj Zotit me ndërgjegje të plotë dhe gënjeu me dinakëri njerëzit që ishin në stadin foshnjor të dijes, për të dalluar të mirën nga e keqja.

Zoti pastaj mallkoi edhe njerëzit, se edhe pse të gënjyer nga djalli, përsëri ata ishin fajtorë për mosbindje dhe: “Gruas i tha: “Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty”. Pastaj i tha Adamit: “Meqenëse dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: “Mos ha prej saj”, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të punosh dhe ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave;do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh” (Zanafilla 3:16-19).

Por po të shikojmë me kujdes mallkimi që iu dha çiftit të parë njerëzor, ishte një qortim pedagogjik për korrigjim, sepse edhe pse gruaja u mallkua që të lindë fëmijët me dhimbje, përsëri ajo do të lindë, kështu që fara e njeriut nuk do shuhej, por edhe pse toka e mallkuar për të prodhuar ferra me mundim, përsëri edhe ajo mund të kultivohet dhe do të prodhojë frutat për jetën e njeriut. Madje kuptojmë se edhe vdekja do të ishte ekonomi e Perëndisë për shpëtimin e njeriut,sepse nëse njeriu do të mbetej i pavdekshëm në gjendjen mëkatare, do të bëhej si djalli i pakorrigjueshem,kurse vdekja që e shpërbën lidhjen trup-shpirt,i jep mundësinë Zotit ta rikrijojë përsëri njeriun. Prandaj Zoti premtoi me profeci se njeriu do ta mundë djallin dhe do çlirohet nga mallkimi dhe vdekja, që mori ai dhe toka nga mashtrimi i satanait:“Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj”.

Por përse zë mallkimi i njerëzve, kur vetëm Zoti ka të drejtë të mallkojë?

Sipas Biblës njerëzit janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë, dmth sipas ikonës së Fjalës së Perëndisë, dhe ashtu siç fjala e dalë nga goja e Perëndisë bëhet vepër:“Perëndia tha: ‘U bëftë drita’ dhe drita u bë” (Zanafilla kapitulli I ),ashtu edhe fjalët e njerëzve realizohen edhe kur ata bekojnë, ose mallkojnë, sepse njerëzit në lirinë e tyre janë përgjegjës për fjalët që ata thonë, qofshin ato bekime apo mallkime.

Por edhe pse njerëzit janë të lirë, ata nuk janë tërësisht të pavarur në veprimet e tyre, sepse ata nuk janë qenie autonome si Perëndia, por krijesa të varura dhe të kushtëzuara. Është drejtësia e Perëndisë që i kontrollon veprimet e njerëzve, prandaj disa dëshira të njeriut bëhen edhe disa jo, kështu pra dhe mallkimi zë vetëm kur është me të drejtë, në të kundërt ai i kthehet kundër atij që mallkon padrejtësisht, siç nathotë psalmisti: “Pasi ka dashur mallkimin, rëntë mbi atë” (Psalmi 109:7).

Mallkimi,njësoj sinë formulat edhe veprimet magjike, edhe kur thuhet me drejtësi, përsëri ai nuk është i mirë. Vërtet profetët para Krishtit mallkonin popullin e Izraelit, por ata mallkonin për qortim nëemër të Zotit, si psh profeti Isaia (700 pr K) mallkon me profetësi izraelitët për frymën e tyre rebele: “Bëjë të pandjeshëm zemrën e këti populli, ngurtëso veshët e tij edhe mbylli sytë e tij që të mos shikojë me sytë e tij,të mos dëgjojë me veshët e tij dhe të mos kuptojë me zemrën e tijd he kështu do të kthehet dhe të jetë shëruar” (Isaia 6:10).

Ndryshe nga Perëndia dhe profetët, njerëzit e thjeshtë mallkojnë nga zemërimi, urrejtja edhe keqdashja, që burojnë nga thellësia e zëmrës së tyre të keqe: “sepse nga zemra dalin mendimet e liga, vrasjet…” (Mateu 15:19-20).E gjithë kjo energji keqdashëse dhe frymë urrejtje, bie ndesh me Perëndinë e Dashurisë, i Cili edhe kur qorton me mallkim njerëzit, e bën pa pasion, por me dashuri për shpëtim, ashtu si thuhet: “Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos e urre qortimin e tij,sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen” (Fjalet e Urta 3:11-12).

Kështu të drejtën e mallkimit e ka vetëm Zoti, sepse vetëm ai është i drejtë,ndërsa njerëzit, duke qënë të gjithë mëkatarë dhe të padrejtë, duhet të durojnë dhe të falin padrejtësitë e tjetrit edhe pse ai konsiderohet si armik, duke ia besuar problemin dhe gjykimin e tyre Perëndisë, ndaj dhe apostull Pavli këshillon: “Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”(Romakve 12:19). Madje edhe kur thuhet: “të kam lënë Zotin”ose “le ta gjejë nga Zoti”, përsëri sipas shën Paisit Agjoritit, është një mallkim me mirësjellje dhe është poshtë bazës shpirtërore dhe nuk i lejohet një të krishteri. Krishti nuk na mësoi këtë lloj dashurie, por atë që thotë: “Atë, faljua atyre sepse nuk dinë se çfarë bëjnë” (Luka 23:34).

Krishti, edhe pse Biri dhe Fjala e Perëndisë, kur erdhi në tokë si njeri nuk mallkoi asnjëherë, përkundrazi Krishti mori mbi vete mëkatet edhe mallkimet tona dhe: “kur e fyenin nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht” (Pjetri 2:21-23).

Krishti nga bekim u bë mallkim duke u kryqëzuar vullnetarisht për njerëzit që t’i shpëtojë nga mallkimi i mosbindjes së Adamit dhe atij të ligjit të shkruar në rrasa guri qëiu dha Izraelit, por edhe ligjit të shkruar në ndërgjegjen e gjithë njerëzve, ashtu siç na i shtjellon apostull Pavli: “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne duke qenë se është shkruar: ‘I mallkuar është kushdo që varet në dru” (Galatasve 3:13).

Fjala e mishëruar e Perëndisë, Jisu Krishti, me veprën e Tij shpëtimtare, kryqëzim,vdekjen dhe ngjalljen, përuron kohë të reja jo të mallkimit, por të bekimit të Zotit. Krishti e liron njeriun nga vargonjtë e mallkuar të djallit,mëkatit të zemërimit dhe urrejtjes ndaj tjetrit, e shprehur kjo verbalisht me mallkime. Ai i jep mundësi njerëzve me fuqinë e Shpirtit të Shejntë,të dashurojnë edhe të falin armiqtë e tyre, prandaj i urdhëron besimtarët: “Doni armiqtë tuaj,bekojini ata që ju mallkojnë, u bëni mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni përata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin” (Mateu 5:44). Dhe apostull Pavli, goja e Krishtit, thotë të njëjtën urdhërim: “Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni” (Romakëve 12:14).

I krishteri,me fuqinë e Shpirtit të Shejntë,është i thirrur të imitojë Perëndinë At edhe Birin e tij. “Sepse Perëndia nuk e dërgoi të Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë me anë të tij (Mateu 3:17), prandaj nuk mund të mallkojmë më sepse:“Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës, pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin”(1 Pjetrit: 3:8-9).

Pavarësisht se Krishti, si Biri i Perëndisë, kur erdhi herën e parë për shpëtimin e botës,nuk mallkoi dhe dënoi njeri, por kur do të vijë në Ardhjen e Tij të Dytë, me lavdinë e Atit bashkë me engjëjt e shenjtëruar, do të gjykojë të gjithë njerëzit: “Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar” (Joani 5:22-23).

Kështu mallkimi që iu dha njerëzve në fillim mbetet një realitet dhe një fakt i pashmangshëm për ata që nuk e pranojnë Krishtin si shpëtimtarin e tyre.Sepse shfaqja më e lartë e bekimit të Perëndisë në Krishtin,i Cili si njeri lindi nga fara e gruas(Virgjëresha Mari) edhe ia shtypi kokën gjarprit(djallit),për ata që e refuzojnë dhe e përçmojnë, kthehet në një mallkim të përjetshëm, ashtu siç ështëpër djallin që refuzoi t’i bindej Perëndisë, duke u bërë kështu shkak që edhe krijesa të tjera ëngjëllore dhe njerëzore të rebeloheshin kundër Perëndisë.

Ndaj dhe kur kombet do të mblidhen përpara Birit të Njeriut për gjykim, Ai do t’u thotë të pabesëve edhe mëkatarëve të papenduar: “që do të jenë në të majtë: ‘Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij’, sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni”(Mateu25:41-43). Kurse për ata që do gjenden në besim, në vepra të mira edhe në pendim, Krishti“do t`u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë”(Mateu 25: 34-36). Pastaj të bekuarit do të hyjnënë Mbretërinë e Perëndisë ku “asnjë mallkim nuk do të ketë më” (Zbulesa 22:3-4).

Prandaj duhet patur kujdes me fjalët që themi sidomos me mallkimet, sepse Krishti na paralajmëron: “Ju është thënë ‘Mos vrit’ dhe ai që të vrasë do të jetë fajtor në gjyq. Por unë po ju themjuve se kushdo që zëmërohet më kot kundër vëllait të tij,do jetë fajtor në gjyq dhe ai qëi thotë vëllait “raka”,do të jetë fajtor në gjyq dhe ai që t’i thotë i marrë, do të jetë fajtor për gjehenë të zjarrit” (Mateu 5:21-22).Fjalët “raka” (i zbrazët, i pavlerë) dhe “i marrë” (i avashtë në mëndje, ose i demonizuar, që duhet vrarë si i pavlerë), ishin sharje, fyerje edhe mallkime që i përdornin rëndomtë izraelitët, po kështu këto janë të njëjta fjalë mallkimi, që i përdorin njerëzit edhe sot.

Shën Joan Gojarti (shekulli i IV) u thotë atyre që mallkojnë edhe çojnë njerëzit në djall: “Çfarë do të thotë pra sipas teje ky mallkim që bëre? Nuk do të thotë që tjetri të shkojë te djalli, të humbasë mundësinë e shpëtimit dhe të bëhet i huaj për Krishtin? Dhe kushje ti? Kjo është puna e pushtetit dhe fuqisë së madhe të Perëndisë… Përse e more ti përsipër një vepër të tillë?”

Shën Paisi thotë se:“Ai qëe zë mallkimi vuan vërtet, por sigurisht në jetën tjetër çlirohet, sepse shlyen disa gjëra këtu”. Bëhet pra, ajo që thotë Ava Iaaku: “Ha Ferrin, dmth e pakëson Ferrin me torturat që vuan këtu. Sepse torturat e kësaj jete e konsumojnë Ferrin. Dmth. kur ligjet shpirtërore funksuionojnë, hiqet pak pjesë nga Ferri, nga vuajtjet e përjetshme”.

Si mund të çlirohemi nga mallkimi?

Kisha Orthodhkse, si Trupi i Krishtit që do shpëtimin e njerëzimit,ka lutje të veçantë si për atë që ka mallkuar duke bërë mëkat, ashtu dhe për atë që gjendet në mallkim nga padrejtësia.Për atë që ka mallkuar duhet të pendohet edhe të rrëfehet patjetër, që mallkimi të mos i numërohet si vrasje tinzare edhe të dënohet si vrasës në gjykatoren e drejtë të Zotit. Po ashtu, edhe ata që i ka zënë mallkimi për shkak të padrejtësitë së tyre, përsëri ata duhet të pendohen dhe të rrëfehen, që t’u hiqet mallkimi që i mundon prej kohësh. Kur mëkatari i penduar shkon për të rrëfyer mëkatet tek ati rrëfyes, ai i lexon këtë uratë: “O Zot Jisu Krisht, Biri i Perëndisë së gjallë…dobëso, fal ndje mëkatet,paudhësitë dhe fajet që ka bërë shërbëtori yt(aksh) me dashje ose pa dashje, me dije ose pa dije me shkelje dhe mos bindje…ose në mallkim prifti,ose duke mallkuar veten,ose nëse shkelën betimin, ti o Zot i mirë dhe zëmërgjërë, denjo të zgjidhet ky shërbëtori yt me anën e faljes, duke ia falur atij mallkimin edhe betimin sipas mëshirës së madhe…shpëtoje nga Ferri i përjetshëm, se ti the,o Zot: sa të lidhni mbi dhé, do të jenë të lidhura në qiell dhe sa të zgjidhni mbi dhé, do të jenë të zgjidhura në qiell. Se ti je vetëm i pamëkatshmi dhe ty ta drejtojmë lavdinë, bashkë me Atin tënd pa fillim dhe Shpirtin tënd të Tërëshejntë,të mirë dhe jetëbërës, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin”.

*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës së KOASH-it, Tiranë