Opinione Mos qani pas 5 vjetësh për 17 majin

Mos qani pas 5 vjetësh për 17 majin

Nga Astrit Patozi

Caktojani Lul Bravës po të doni edhe helmimin e Petro Nini Luarasit, se brenda jeni, mban ai “besëpreri”.

Por mos bëni sikur ju ka marrë më qafë 5 vjet më parë me marrëveshjen e 17 majit, sepse keni qenë po aq të lumtur dhe po aq të përfshirë sa ai, kur doli para kamerave duke u qepalluar me Edi Ramën.

Për të mos thënë që dikush ka qenë online me të gjatë gjithë flirtimit me argatin e Vuçiçit, me telefonata direkte apo me whatsapp, gjatë atyre orëve të gjata dhe të lavdishme në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Natyrisht që tabulatet nuk ka rrezik të jenë ndonjëherë objekt i SPAK-ut, sepse marrëdhënie me dëshirë mes palëve ka qenë, jo përdhunim. Dhe me siguri do të vazhdonit ashtu deri sa vdekja t’ju ndante, po të mos kishte ndodhur 9 shtatori.

Atëherë po që nuk ka nevojë, as për dëshmi dhe, as për shpjegime, për të njohur tradhtarin, që nuk duhet të kishte lindur fare.

Tani e di i madh e i vogël se ai kishte pasë qenë njeriu i zi, që kishte marrë në qafë, jo vetëm Partinë Demokratike, por edhe të gjithë kombin shqiptar, prej nga koha e pellazgëve e këndej.