Aktualitet “Mos zgjidh shfarosjen”

“Mos zgjidh shfarosjen”

Rrjeti i kinemave Millenium, Cineplexx dhe Autoriteti Portual Durrës iu bashkuan sot fushatës së UNDP për të rritur ndërgjegjësimin mbi efektet shkatërrimtare të ndryshimeve klimatike te njerëzit dhe planetit.

Në zemër të fushatës është një film i shkurtër në të cilin shfaqet një dinozaur i egër që flet, i quajtur Frenkie. Dinozauri hyn në selinë e Kombeve të Bashkuara për t’i nxitur liderët botërorë që të marrin më tepër masa ndaj ndryshimeve klimatike. Pasi hyn furishëm në sallën ikonë të Asamblesë së Përgjithshme, e famshme për fjalimet e mbajtura nga liderë nga e gjithë bota të cilat kanë bërë historinë, dinozauri imponues del përballë një audience diplomatësh dhe personalitetesh të tronditur e të hutuar dhe u tregon se “ka ardhur koha që njerëzit të harrojnë justifikimet dhe të fillojnë të bëjnë ndryshime” për të trajtuar krizën e shkaktuar nga faktorët klimatikë. “Ne të paktën mund të fajësojmë meteorin”, paralajmëron dinozauri, duke iu referuar teorisë së njohur që shpjegon shfarosjen e dinozaurëve përpara 70 milionë vjetësh. “Po ju, çfarë justifikimi keni?”.

Filmi i shkurtër do të jepet për 10 ditë edhe në ekranet e kinemave Millemium dhe Cineplexx para shfaqet se cdo film. Ndërsa në Portin e Durrësit do të shfaqet në ekranet e terminaleve të pasagjerëve përfshi edhe ekranin e që Porti disponon në qendër të qytetit të Durrësit. Qëllimi është që qytetarët të ndërgjegjësohen për ndikimin që ngrohja globale po jep për planetin.

Fushata synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e veprimeve të çdo individi për të ndryshuar situatën kërcënuese në të cilën po jetojmë. Institucionet, organizatat dhe kompanitë kanë detyrën që të ndërmarrin masa në mbështetje të uljes së gjurmës së karbonit. Edhe njerëzit kanë përgjegjësi. Ky është një mision për çdokënd.

Përmes fushatës “Mos zgjidh shfarosjen”, partnerët synojnë të ndërveprojnë me publikun e gjerë për të trajtuar krizën e shkaktuar nga faktorët klimatikë. Nevojiten masa më të ashpra ndaj ndryshimeve klimatike, dhe bashkëpunimi i partnerëve dhe publikut është gur themeli për të mbrojtur ekzistencën e njerëzimit.

Sipas të dhënave më të fundit të Raportit të Parë Dyvjeçar të Përditësuar, tendencat e projeksioneve tregojnë se temperatura mesatare vjetore në Shqipëri do të rritet ndërmjet 1,3°C dhe 2,2°C deri në vitin 2050. Në bregdetin shqiptar parashikohet që temperaturat mesatare vjetore të rriten për të gjitha stinët, por sidomos për muajt e verës. Shpeshtësia e temperaturave ekstreme të larta dhe numri e kohëzgjatja e valëve të të nxehtit, pritet që të rriten në mënyrë të konsiderueshme deri në vitin 2050. Brenda vitit 2050, niveli i reshjeve në Shqipëri pritet të ulet me 2,1% dhe 4,3% nga niveli bazë prej 929,7 mm i periudhës 1986-2005. Ndryshueshmëria e reshjeve pritet të rritet në zonën bregdetare të Shqipërisë, si dhe parashikohet të rritet shpeshtësia dhe intensiteti i ngjarjeve me reshje të dendura shiu. Gjatë muajve të verës, rritja e rasteve me reshje të dendura shiu kombinuar me rënien e nivelit mesatar të reshjeve tregon se shpeshtësia e thatësirave pritet të rritet. Projeksionet për bregdetin tregojnë se do të ketë një rritje mesatare të nivelit të detit nga 45 cm deri në 60 cm brenda vitit 2100. Kjo do të favorizojë rritjen e kripëzimit të akuifereve bregdetare dhe do t’i bëjë zonat bregdetare të cenueshme nga përmbytjet si pasojë e stuhive detare dhe erozionit.

Në tetor të vitit 2021, ne kontekst te projektit te UNDP-së “Premtimi i klimës” dhe të partnerëve të tjerë, në përgjigje të Marrëveshjes së Parisit për Ndryshimet klimatike, Shqipëria dorëzoi Kontributin e saj Kombëtar të Përcaktuar (KKP) të rishikuar, por tashmë edhe me një fushëveprim më të gjerë i cili përfshin më tepër lloje gazesh me efekt serrë (GES) dhe më tepër sektorë. Kontributi i rishikuar i Shqipërisë për zbutjen e ndryshimeve klimatike ka si synim që t’i ulë emetimet me 20,9% deri në vitin 2030 krahasuar me skenarin “Punë si zakonisht”.

UNDP ka bashkepunuar me qeverinë shqiptare që prej vitit 1998 për të përgatitur Komunikimet Kombëtare për Ndryshimet Klimatike, duke paraqitur aty nivelin e emetimeve të gazeve me efekt serrë (GES), skenarët e zbutjes, treguesit e ndryshimeve klimatike dhe planet e veprimit për përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve.