Kryesore Mosdekretimi i 5 ministrave të rinj, Meta: Po verifikoj integritetin e tyre

Mosdekretimi i 5 ministrave të rinj, Meta: Po verifikoj integritetin e tyre

Presidenti Ilir Meta thotë se është në pritje të përgjigjeve të institucioneve për të verifikuar integritetin e ministrave të rinj jo politikë të emëruar nga Kryeministri Edi Rama.

Për këtë arsye, thotë Presidenti, nuk janë dekretuar të gjitha propozimet e Kryeministrisë për ndryshimet në qeveri.

Ndryshe ka ndodhur me emrat e tjerë që vijnë nga politika dhe janë pjesë e Parlamentit.

“Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën përsa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues”.

I pyetur edhe për Gent Cakajn i cili është emëruar nga Rama si ministër i Jashtëm, Presidenti deklaron se është brenda afateve sa i përket dekreteve.

Pyetje: “Kushtetuta thotë: Ministri mishëron cilësitë e deputetit. Kandidati i propozuar për ministër të Jashtëm, si ju rezulton deri tani?”

“Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale”, theksoi kreu i shtetit.

Këto deklarata Presidenti Ilir Meta i bëri në sesionin e parë vjetor të dhurimit të gjakut në Kavajë.

Meta ka dekretuar deri tani 4 nga emërimet e Kryeministrit Rama për ndryshimet në qeveri, ndërsa 5 emra të tjerë janë pezull.

Të gjithë propozimet e padrekretuara nuk janë emra politikë.

Ata janë Besa Shahini te Arsimi, Anila Denaj te Financat, Elva Margariti te Kultura dhe Gent Cakaj te Ministria e Jashtme. Por për dekretimin e këtij të fundit, fillimisht Meta duhet të dekretojë shkarkimin e ministrit Bushati, i cili qëndron ende në detyrë.