Shëndet Mosha nuk është më barrierë për Covid-19

Mosha nuk është më barrierë për Covid-19

Barriera që mendohej se mbronte të rinjtë nga koronavirusi duket se ka rënë. Mosha nuk është më një element që shton apo ul shanset e prekjes nga Covid-19. Me kalimin e kohës, profili i pacientit me Covid-19 po ndryshon dhe të dhënat e fundit tregojnë se mosha mesatare e rasteve të reja është në rënie.

Në Shqipëri, sot u shënua vdekja në moshë më të re nga infeksioni. Një 21-vjeçare, e cila vuante nga sindromi metabolik, ndërroi jetë pasi gjendja e saj u përkeqësua në mënyrë të menjëhershme. Rënien e moshës mesatare të të prekurve e konfirmoi mbrëmë në një intervistë për TvT edhe kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli. Aktualisht, mosha mesatare e të prekurve qëndron në 40-45 vjeç, ndërkohë që disa javë më parë ishte mbi 65 vjeç. Rakacolli e shpjegon këtë me faktin se ka një ndërgjegjësim të të moshuarve për rrezikun që paraqet për ta virusi dhe shkujdesjen e moshave më të reja.

Një fenomen i tillë po ndodh në shumë vende. Në Itali, një nga vendet më të goditura nga epidemia, por që tashmë e ka kufizuar shkallën e përhapjes, të dhënat e Institutit të Lartë të Shëndetësisë tregojnë se mosha mesatare e të prekurve ka zbritur në 47 vjeç. Në kulmin e pandemisë, ajo ka qenë të paktën mbi 60 vjeç. Por tashmë, kjo fashë përbën vetëm 18% të të prekurve. Ndërsa ka një rritje të përhapjes së virusit te moshat 19-50 vjeç, të cilat përbëjnë 47.5% të rasteve. Nuk janë pak as rastet e fëmijëve dhe adoleshentëve (0-18 vjeç) që përbëjnë 10.2%. Mosha 51-70 vjeç përbëjnë 24.3% të të prekurve.

Luigi Bertinato, drejtues i sekretarisë shkencore në Institutin e Lartë të Shëndetësisë, thotë se panorama aktuale duhet të na shërbejë që të përgatitemi për vjeshtën.

Sipas studiuesit, edhe nga pikëpamja klinike, shifrat kërkojnë reflektim: “Muajin e fundit, Covid-19 ka qenë më e vështirë të zhduket te pacientët, të cilët ende nuk i kanë mbushur 50 vjeç, ndërsa më parë, rastet më kritike ishin më shumë se 60 vjeç”.