Bota Mosmarrëveshja për emigrantët, thellohet çarja mes Francës dhe Britanisë së Madhe

Mosmarrëveshja për emigrantët, thellohet çarja mes Francës dhe Britanisë së Madhe

Thellohet çarja mes Francës dhe Britanisë së Madhe për shkak të mosmarrëveshjeve për emigrantët ilegalë që kalojnë në ngushticën e Kalesë.

Londra njoftoi se do të zhvillojë një samit më vete për këtë krizë, pasi u përjashtua nga takimi i ministrave të brendshëm i kësaj të Diele në Francë. Ministrja britanike Priti Patel tha se ngjarjet tragjike si ajo e të Mërkurës, ku humbën jetën 27 emigrantë nga mbytja e varkës së tyre që lundronte drejt brigjeve britanike, do të shumëfishohen, nëse nuk gjendet një zgjidhje e përbashkët mes Londrës, Parisit dhe Bashkimit Europian.

Ministri i brendshëm francez nuk i dërgoi ftesë për në samitin e të Dielës, homologes së tij britanike, pas një letre të publikuar të Premten nga kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson, që shkaktoi reagimin e ashpër të presidentit të Francës Emmanuel Macron.

Kërkesa e Johnson që Franca të pranojë emigrantët që nisen nga brigjet franceze dhe kapen nga Britania e Madhe, bëri që Macron t’a quajë shefin e qeverisë së Londrës ‘njeri me dy fytyra’. Sipas Macron, Johnson vuri kushte paraprake, pavarësisht se në një komunikim të mëhershëm kishte pranuar që zgjidhjen ta gjenin bashkarisht.