Sport Mourihno: Darwin më mësoi se mbijeton ai që përshtatet, jo ai që...

Mourihno: Darwin më mësoi se mbijeton ai që përshtatet, jo ai që është më inteligjent

Jose Mourinho vazhdon të jetë pa punë që kur u shkarkua nga Manchester United dhjetorin e kaluar, pas humbjes me rivalët e Liverpoolit, megjithatë trajneri luzitan nuk po qëndron pasiv, përkundrazi, po përshtat metodat e tij menaxheriale, për të qenë gati për përvojën e radhës.

Pavarësisht se fitoi Europa League-n dhe Kupën e Ligës në mbretërimin e tij dyvjeçar tek United, koha e Mourinhos në Manchester do të mbahet mend kryesisht për marrëdhënien e tij të tensionuar me francezin Paul Pogba.

56-vjeçari këtë periudhë tetëmujore, jashtë fushave të blerta, e ka shfrytëzuar për të medituar qasjen që duhet të ketë në skuadër, për një rikthim sa më të suksesshëm.

“Nuk ndiej keqardhje. Nëse do të ndieja keqardhje atëherë çfarë mund të thoshim për njerëzit (trajnerët) që kanë arritur më pak se unë në karrierë”, – deklaroi Mourinho për Sky Sports. – “Ju gjithmonë mund të mendoni: Ah, sikur ta dija, atëherë mund ta kisha bërë ndryshe.”

Si gjithmonë, “Special One” edhe në deklarata, portugezi i referohet natyralistit Charles Darwin, për të shpjeguar se ka ndryshuar.

“Jam vetëm 56 vjeç, pra ende fëmijë. Charles Darwin më mësoi se mbijeton dhe është më i fortë jo ai që është më inteligjent, por ai që përshtatet më mirë me ndryshimin. Ndryshimi nuk është gjithmonë për mirë, ndonjëherë ndryshimi është për keq. Por është e rëndësishme për të kuptuar ndryshimin dhe për t’u përshtatur me të dhe unë jam duke menduar në të vërtetë për atë moment”, tha Mou.

Jose Mourinho është marrë gjatë kësaj periudhe me përgatitjet për projektin e tij të radhës e tashmë e ka krijuar skuadrën me bashkëpunëtorët e tij të rinj. Së shpejti mund të mësojmë edhe emrin e skuadrës që do të drejtojë.