Sport Mourinho drejt Bayern Munchen? Schweinsteiger: Ai më pyeste gjithmonë për Bundesligën

Mourinho drejt Bayern Munchen? Schweinsteiger: Ai më pyeste gjithmonë për Bundesligën

Bayern Munchen shkarkoi të dielën trajnerin Niko Kovac, pas humbjes 5-1 nga Eintracht Frankfurt të shtunën pasdite. Humbja i la kampionët në fuqi 4 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Borussia Monchengladbach duke detyruar bordin drejtues të shkarkojë trajnerin.

Ish-mesfushori i bavarezëve, Bastian Schweinsteiger, i cili ka kaluar për 13 vite në “Allianz Arena” ka folur për hipotezat e ndryshme se kush do të jetë trajneri i ri i Bayern-it. “E imagjinoj Mourinhon në Gjermani”– deklaron gjermani për “Deutche Welle”.

“Mbaj mend tek United ai gjithmonë më pyeste për Bayern-in dhe Bundesligën. Ai njeh çdo lojtar, madje dhe tek ekipet e vogla. Gjithashtu, ai po mësonte gjermanisht”, tha kampioni i botës me Gjermaninë, i cili ka qenë nën urdhrat e Mou-t tek Manchester United.

Nuk është hera e parë që trajneri portugez lidhet me Gjermaninë. Muajin e kaluar Jose ishte pranë firmës me Borussia Dortmund sipas raportimeve. Ai flitet se mund të marrë edhe drejtimin e Arsenal-it pas rezultateve jo të mira të Unai Emery.

Muller të shkojë tek United

Ndër të tjera, Bastian Schweinsteiger shtyn ish-shokun e tij të skuadrës te Bayerni dhe përfaqësuesja gjermane, Thomas Muller, që të marrë në konsideratë mundësinë e transferimit në radhët e Manchester United. Spekulimet për një kalim të mundshëm të gjermanit në “Old Trafford” dalin në par në çdo dritare merkatoje.

“Van Gaal, kur drejtonte Manchester United, synonte ta kishte në klub Mullerin. Thomas ishte i ri në atë kohë dhe nuk dëshironte të largohej. Ndoshta ka ndryshuar mendim tani. Thomas në kohën e fundit po qëndron në stol, por duhet të provojë diçka të re”, – deklaroi Schweinsteiger.

Muller gjatë këtij sezoni ka luajtur pak ndeshje në formacionin e parë, madje dhe në ato sfida ku ka zbritur në fushë ka hyrë në lojë si zëvendësues.