Sport Mourinho duartroket Italinë: Por favoritja e Europianit është Franca

Mourinho duartroket Italinë: Por favoritja e Europianit është Franca

Admirim për Italinë dhe për punën e madhe të trajnerit Roberto Mancini, por parashikimi i Jose Mourinho shikon domosdoshmërisht si favorite të Europianit të kësaj vere Francën. “Special One”, duke pritur të marrë në dorëzim stolin e Romës, bën prognozën e kompeticionit kontinental, që do të fillojë në më pak se një javë.

“Unë do të shikoj nga afër lojtarët e mi, që luajnë te Roma: Spinazzola, Cristante dhe Pellegrini. Do të përqendrohem tek ata, por axurrët kanë një përzierje të mirë të lojtarëve me përvojë dhe djemve të rinj, që dinë të fitojnë”, – tha Mourinho për “The Sun”.

Për Italinë, trajneri portugez, i cili më 2010 udhëhoqi Interin drejt “tripletës”, shtoi: “Roberto Mancini është një trajner me përvojë të madhe. Ai ka kaluar 20 vite duke stërvitur në ligat më të mira të vendeve më të mëdha. Kësisoj, ai është më se i gatshëm për triumf. Tashmë e ka treguar sa i mirë është që në fazën kualifikuese. Kombëtarja italiane është përmirësuar shumë me të në drejtim”.

Pastaj, një vlerësim mbi lojën e axurrëve: “Mancini po fut pak më shumë cilësi sulmuese, por italianët nuk e humbin natyrën e tyre dhe dinë të mbrojnë mirë. Është e vështirë të gjesh pika të dobëta. Unë mendoj se do të jenë në çerekfinale”.

Disa fjalë edhe për Anglinë: “Unë gjithmonë mendoj për fizikun e një ekipi. Ju duhet një ekuilibër i caktuar për të fituar. Nuk mund të jeni një ekip i shkëlqyeshëm nëse nuk keni fizikalitet dhe cilësi. Kjo nuk ka asnjë lidhje me moshën dhe përvojën. Mosha mund të jetë një kontradiktë. Ndonjëherë keni lojtarë në të 30-at e tyre, që janë me të vërtetë naivë në fushë dhe ndonjëherë keni djem nga 18, 19 vjeç, që janë shumë inteligjentë dhe luajnë sikur të kenë pjekurinë e të rriturve. Shikoni çfarë po bëjnë Mount dhe Foden. Nëse jeni gati të luani një finale të Ligës së Kampionëve, sigurisht mund të luani çdo ndeshje në këtë planet”.

Më tej, një shaka edhe me Francën, e cila mbetet favorite për Mourinho: “Kur ke Mbappe në krah është vërtet e vështirë të mos fitosh”.

Në fund, disa fjalë për Belgjikën: “Ajo ka Lukakun, me një progres të jashtëzakonshëm në dy vitet me Interin. Për belgët, ky Europian duhet të ketë moton: tani ose kurrë”.