Sport Mourinho: E ardhmja ime nuk do të jetë në Itali, Interi dhe...

Mourinho: E ardhmja ime nuk do të jetë në Itali, Interi dhe Moratti si një familje

Për një si ai është e vështirë të qëndrojë gjatë larg fushave të futbollit. Jose Mourinho po bën thuajse një vit që është pa një skuadër. Trajneri portugez është ende në kërkim të një klubi që pas largimit të tij nga Manchester United.

Në një intervistë për emisionin Tiki Taka në Itali, Special One ka kujtuar kohët që ka kaluar te Interi, por në të njëjtën kohë ka zbuluar se ardhmja e tij nuk do të jetë në Itali. “Nuk besoj se e ardhmja ime do të jetë në Itali, është një parandjenjë kjo, edhe pse këtu identifikohem në shumë gjëra dhe nuk më duhet të mësoj gjuhën apo kulturën e këtij vendi”.

Më pas Mourinho u ndal te tripleta e fituar me Interin në 2010-ën. “Më kujtohen të gjitha momentet kyçe për fitimin e kampionatit, pastaj ajo përmbysje fantastike në Kiev që na shtroi rrugën drejt triumfit në Champions. Nuk mund të harroj as 3 finalet brenda një jave, dukej si një film. Moratti për mua ishte më shumë se një president, ishte një mik. Nëse mendoj për Morattin dhe Interin, kujtoj një familje. Pse nuk u ktheva më në Milano pas triumfit në Champions ndaj Bayernit në Madrid? Nëse do të isha kthyer në San Siro me trofeun e Championsit në duar nuk do të isha larguar më”, shtoi në fjalën e tij trajneri portugez.