Sport Mourinho flet pas largimit, mediat spanjolle e rikthejnë në Madrid

Mourinho flet pas largimit, mediat spanjolle e rikthejnë në Madrid

Jose Mourinho ka folur për herë të parë për mediat që pas largimit nga stoli i Manchester United. Ishte një shkarkim, një largim me marrëveshje apo një dorëheqje, ajo e portugezit nga Old Trafford, kjo është diçka që nuk do të mësohet kurrë, megjithatë e rëndësishme është që Special One nuk ka asnjë peng për largimin e tij nga Djajtë e Kuq. Menjëherë pas largimit nga United, Mourinho është kthyer në Londër aty ku jeton familja e tij.

I intervistuar nga Sky Sports, portugezi ka sqaruar situatën e largimit të tij.

“Djajtë e Kuq kanë një të ardhme edhe pa mua, edhe unë do të kem një të ardhme edhe pa Manchester United. Ishte një nder të drejtoja në Old Trafford”, deklaroi Jose Mourinho.

Ndërkohë në orët e fundit mediat spanjolle po flasin për një rikthim të mundshëm të Mourinhos te Reali i Madridit me presidentin e Los Blancos Florentino Perez që është gati t’i ofrojë një kontratë të re portugezit me një pagë prej 20 milionë eurosh në sezon dhe mbi të gjitha të ketë lirshmëri në merkato pasi presidenti i klubit merengues mund ti vendosë në dispozicion një çek të bardhë për të afruar në skuadër lojtarët që dëshiron!