Sport Mposht Flamurtarin, Partizani përgatitet të festojë në derbi. Tirana, drejt qëndrimit

Mposht Flamurtarin, Partizani përgatitet të festojë në derbi. Tirana, drejt qëndrimit

Partizani është me një këmbë drejt titullit kampion në Shqipëri. “Demat e kuq” fituan thellë 3-0 në Vlorë, në përballjen e vështirë ndaj Flamurtarit, që kohët e fundit kishte arritur rezultate pozitive, duke bërë thuajse gjithçka gati për të festuar në javën e ardhshme, që në fakt nuk është dosido.

Ngritja e trofeut, me të gjitha gjasat do të bëhet në Tiranë përballë kundërshtarëve të përjetshëm të tyre, në ndeshjen e shumëpritur dhe me tifozerinë më të zjarrtë në Shqipëri, derbin e kryeqytetit ndaj bardhebluve.

Në Vlorë shënuan Asani, Mensah dhe Cinari për të ngjitur Partizanin në kuotën e 65 pikëve, duke ruajtur kështu diferencën prej 10 pikësh kur duhen edhe 4 ndeshje nga fundi i sezonit, me Kukësin që nga ana e tij mori 3 pikët në tavolinë për shkak të përjashtimit të Kamzës.

Minuta drithëruese ishin ato të fundit në Tiranë dhe Laç, ku luheshin dy ndeshje thuajse vendimtare në luftën për mbijetesë në Kategorinë Superiore.

Tirana arriti me fat të gjente rrugën e rrjetës me anë të Hasanit në shtesë, duke fituar 1-0 ndaj Skënderbeut, për të marrë kësisoj 3 pikë “jetike” për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.

Kjo fitore e bardhebluve, ndonëse e arritur mes vështirësive, shoqëruar me barazimin 1-1 në Kurbin mes laçianëve vendas dhe krutanëve miq, bën që kryeqytetasit ta shohin veten 5 pikë larg zonës së ftohtë, kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi i kampionatit, e për më tepër përpara derbit të javës së ardhshme.

Në fakt, një ndihmesë në këtë sukses të Tiranës dha edhe Laçi, që ndonëse u duk sikur do të mposhtej nga krutanët në 10 minutëshin e fundit të takimit, arritën gjithsesi të barazonin shifrat dhe të mbeten ende në lojë për një vend në kupat e Europës.

Nga ana tjetër, Teuta e vendit të katërt nuk arriti të përfitonte nga humbja e Flamurtarit, për t’i rrëmbyer vlonjatëve vendin e tretë. Durrsakët nuk shkuan më shumë sesa barazimi pa gola ndaj Luftëtarit të Gjirokastrës në “Niko Dovana”, duke mos provuar as këtë herë shijen e fitores.