Sport Mrekullia me lojtarin e Ajaksit, del nga koma pas gati 3 vitesh

Mrekullia me lojtarin e Ajaksit, del nga koma pas gati 3 vitesh

Abdelhak Nouri ka dalë nga koma pas gati tre vitesh. Lojtari i Ajaksit, me origjinë marokene, mori një goditje të fortë më 8 korrik të 2017-ës, që i shkaktoi hemorragji të rëndë cerebrale, por më në fund ka hyrë në rrugën e rikuperimit parcial.

Nouri u ndje keq gjatë një ndeshjeje miqësore kundër Verder Bremenit. Futbollisti 22-vjeçar ishte një nga talentet më premtues të Ajaksit. Në momentin që mori atë goditje, ishte 19 vjeç dhe sapo ishte zgjedhur lojtari më i mirë i sezonit në divizionin e dytë holandez, teksa luante me skuadrën e dytë të Ajaksit.

Një vit pas shtrimit në spital, Nouri kishte treguar shenja përmirësimi. Ende nuk mund të thuhet se në çfarë përqindje ai do të riaftësohet. Pas 2 vjet e 8 muajsh, siç tregon vëllai Abderrahim, ai ka lënë spitalin: “Nuk është më në koma, është në shtëpi, fle, ha dhe reagon mirë, por nuk mund të ngrihet nga shtrati. Është i ndërgjegjshëm se ku gjendet dhe është shumë e rëndësishme për të që është pranë familjes. Komunikojmë me të, shohim edhe ndeshje futbolli dhe ai reagon”.

Mbështetja e tifozëve të Ajaksit për Nouri, pas dëmtimit dramatik të tij

Ditët pas dramës, i gjithë Ajaksi manifestoi mbështetjen e madhe për lojtarin e vet. Jo vetëm klubi, por edhe tifozët. Edhe shokët e skuadrës i qëndruan pranë, Frenki de Jong më shumë se të gjithë, pasi janë shumë miq. Xhastin Klaivert, në momentin e transferimit te Roma, zgjodhi numrin 34 në fanellë për nder të tij dhe i dedikoi golin ndaj Viktoria Plzen në grupet e Championsit. Të njëjtën gjë bëri edhe El Ghazi, një mik shumë i afërt i Nouri, teksa shënonte një gol për Lilën. Osman Dembele shkroi emrin e Nouri te këpucët e tij për ta pasur gjithmonë “me vete” lojtarin e Ajaksit sa herë që gjuante një top.