Kryesore Shkarkohet Besnik Muçi, gjykatësi: Nuk e njoh vendimin

Shkarkohet Besnik Muçi, gjykatësi: Nuk e njoh vendimin

Pas 1 muaji e 3 ditësh nga marrja e detyrës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi është shkarkuar sot nga detyra pas një vendimi të Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

Muçi e kishte kaluar Shkallën e Parë, por u rrëzua pas apelimit nga Komisioneri Publik.

Tashmë Gjykata Kushtetuese mbetet me 4 anëtarë dhe ende e paplotë për të marrë vendime.

Pse u shkarkua

Sipas trupit Gjykues, Muçi nuk justifikonte pasurinë ku problem është gjetur një apartament në Tiranë dhe mosdeklarimi i tokës bujqësore që kishte bashkëshortja në pronësi.

Trupa e vettingut arrin në përfundimin se apartamenti në rrugën “Ali Visha” në vlerë 1.9 milionë lekë nuk justifikohet mbi ligjshmërinë, por edhe huatë e marra nga xhaxhai, motra e vëllai.

Në konkluzion trupi gjykues çmon se subjekti është në kushtet e pamjaftueshmërisë sa i takon kësaj pasurie. Problemi tjetër që u soll në vëmendje ishte pronat e familjes së bashkëshortes që ka përfituar toka bujqësore në Pogradec, KPA kujtoi se Besnik Muçi nuk ka deklaruar këtë pasuri. KPA theksoi se subjekti edhe në këtë pikë gjendet në rrethana pamjaftueshmërie. Edhe për mosmbulimin e të ardhurave për pesë vite, KPA theksoi se Besnik Muçi nuk mund të mbulonte me të ardhurat shpenzimet dhe investimet.

Për sa i përket informacionit të DSIK për njohjen e Muçit me persona qe kane probleme KPA hodhi poshtë qëndrimin e Muçit që më herët u justifikua se nuk i dinte problemet e mikut të tij. KPA tha se fakti i problemeve të A. L dihej publikisht pasi ishin deklaruar edhe në media. Madje privilegjet – tha KPA – dhe deklarimet e pavërteta të Mucit – ka bërë që KPA të mbajë qëndrim edhe mbi sjelljen e subjektit. Shkalla e dytë e vettingut tha se Besnik Muçi ka cenuar besimin e publikut dhe ndaj duke konkluduar mbi pasuritë, faktet janë të mjaftueshme për të thënë që Besnik Muçi nuk gëzon besimin e Publikut.

Muçi nuk njeh vendimin: Jam anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Pas vendimit ka reaguar vetë gjyqtari Muçi i cili tha se vendimi nuk e shkarkonte nga detyra si gjykatës. Kjo sipas tij, pasi që në momentin që është bërë betimi në Presidencë, ai ka humbur statusin si prokuror.

Sipas tij, KPA nuk mund të shkarkojë një anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

 “Vendimi i Kolegjit të Apelit nuk ka efekt mbi mua. Në momentin që kam bërë detyrën dhe kam bërë betimin, kam humbur statusin e prokurorit dhe Kolegji nuk ka pasur më kompetencë të shqyrtojë dosjen time. Neni 130 i Kushtetutës thotë që në momentin që kam bërë betimin e kam humbur statusin e prokurorit. Gent Ibrahimi ka detyrimin ligjor të konstatonte mbarimin e mandatit tim si prokuror. Mbarimin e mandatit tim e thotë Kushtetuta, e konstaton Gjykata Kushtetuese me ndryshimet e fundit”, është shprehur Muçi.

Gjatë fjalës së tij, duke shpjeguar vendimin e KPA, tha që mëkati që ka bërë ishte se para dy vitesh aplikoi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Më thoni kush është ai qytetar shqiptar, pasuria e të cilit mos ketë probleme të natyrës së qindra mijërave lekë, unë e kam thënë jam bërë vet prokuror, kam konkurruar dhe kam ushtruar 17 vjet profesionin me përkushtim, korrektesë duke zbatuar ligjin pa asnjë masë disiplinore dhe mëkati i vetëm është që para dy vjetësh, aplikova për anëtar të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh për mediat ai.

Ai ndër të tjera tha se “mëkatin tjetër e bëri zoti Dvorani që më listoi i treti në listë, për vakancat e Presidencës dhe Kuvendit, ndërsa mëkati tjetër është i Presidentit Meta që e zgjodhi në Gjykatën Kushtetuese”.