Aktualitet Mungesa e librave shqip, Shahini takohet me homologun serb

Mungesa e librave shqip, Shahini takohet me homologun serb

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini është takuar sot në Bujanoc të Serbisë me homologun e saj Mladen Šarčević, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik në Republikën e Serbisë.

Të pranishëm në takim kanë qenë gjithashtu kryetari i Zyrës së Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës Zoran Stanković, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi Ragmi Mustafa dhe ambasadori shqiptar në Serbi, Ilir Boçka.

Gjatë takimit, u diskutua problematika e mungesës së librave shkollorë në gjuhën shqipe në Serbi. Në këtë kuadër, ministrja Shahini shprehu mundësinë e përdorimit të teksteve tona që përdoren në shkollat e Shqipërisë, pasurimin e bibliotekave shkollore me libra në gjuhën shqipe, si dhe ofroi gjithë ekspertizën e nevojshme kurrikulare të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).

Oferta e ministres Shahini u pranua në parim, ndërsa tani në vijim ngelet të detajohet edhe realizimi teknik i planit në mënyrë që të ketë arsim më cilësor për të gjithë shqiptarët në Serbi. Gjatë vizitës, Ministrja Besa Shahini vizitoi edhe një shkollë fillore në Bujanoc.