Aktualitet Mungojnë kuponat për pasaporta dhe kartë ID, qytetarët sorollaten

Mungojnë kuponat për pasaporta dhe kartë ID, qytetarët sorollaten

Janë 1.4 milion karta identiteti dhe pasaporta qytetarësh, të cilët mbarojnë afatin e vlefshmërisë këtë vit.

Qytetarët janë drejtuar për të tërhequr kuponat për pasaporta, por në qarkun e Beratit gjatë javës së kalaur kanë munguar.

 Që me liberalizimin e vizave në vitin 2009 u lëshuan pjesa më e madhe e pasaportave me vlefshmëri 10 vjet. Si rezultat i përfundimit të vlefshmërisë së tyre këtë vit është rritur ndjeshëm numri i aplikimeve për pasaporta dhe karta identiteti. Por në një pjesë të madhe  të filialeve të postës ka mungesa për këto kupona.

Në Fiks Fare u denoncua rasti me anë  të një telefonate ku në qarkun e Beratit prej shumë kohësh nuk kishte kupona për kartë identiteti dhe për pasaportë. Me të marrë denoncimin gazetarët e Fiksit u drejtuan drejt Beratit ku  faktuan mungesën  e kuponave.

Në Urën Vajgurore gazetarët iu drejtuan filialit të postës për të t’u pajisur me një kupon për kartë ID dhe nuk gjetën. Punonjëset e postës e pranojnë që janë në mungesë madje edhe kur ato pajisen me kupona, marrin një numër të caktuar të papërfillshëm për kërkesat. Ato pohojnë se kupona u kanë çuar po atë ditë që pyesin edhe bashkëpunëtorët e Fiksit, por që ka qenë një  numër i vogël dhe janë mbaruar shumë shpejt.  Ato tregojnë se me kupona nuk pajisen çdo ditë ndaj dhe justifikohet mungesa e tyre.  Numri më i madh që mund të marrin në ditë nuk i kalon 100 copë kupona, ndaj dhe shitja e tyre bëhet në kohë rekord.  Madje edhe kur komunikojnë me filiale të tjera në Berat i pohojnë të njëjtën gjë, që edhe ato kanë mungesa në kupona.

Bashkpunëtorët e Fiksit u drejtuan edhe në qytetin e Kuçovës për të parë situatën atje, por gjithçka ishte njësoj.  Në fiilialin e postës në Kuçovë punonjësja pohon se në mëngjes janë pajisur me një numër të kufizuar të kuponave dhe për pak kohë ato ishin drejt përfundimit. Madje punonjësja e këshillon bashkëpunëtorin ta marri kuponin se do mbaroheshin dhe nuk dihej se kur ky filial do të pajisej sërish me to.

Gazetarët iu drejtuan edhe qytetit të Beratit ku kërkesa është edhe më e madhe, por situata nuk ndryshon. Në postën Nr 1  punonjesja tregon se nuk kanë kupona madje nuk kishin të gjitha filialet në këtë qytet. Njëra nga punonjëset ofron ndihmë për të pyetur në filialin qendror nesë kishte kupona  dhe si përgjigje mori një “Jo”, por në të tilla raste punonjëset “fshehin” ndonjë kupon për mik.  Në rastin konkret punonjësja flet me një tjetër punonjesë tek posta qendrore dhe dërgon bashkëpunëtorin e Fiksit që të shkojë ta blejë atje. Për ta siguruar kuponin duhet të përmende emrin e saj.

Që nga 1 janari 2015, pasaportat dhe kartat e identitetit kushtojnë më shtrenjtë. Rritja e çmimit është parashkruar në kontratën që shteti shqiptar ka firmosur me kompaninë ALEAT, pas 5 viteve të para në masën 20 %, duke reflektuar inflacionin.
Kuponi për pasaportat që deri në 30 dhjetor 2014 kushtonte  6000 lekë, nga 1 janari 2015, kushton 7500 lekë. Çmimi për kartat ID, nga 1200 në 1500 lekë, por edhe me rritjen e çmimeve ka mungesa në treg.

Në korrik vetë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u bëri thirrje qytetarëve të ciilëve u skadojnë dokumentat që të aplikojnë për to. Madje thirrja e ministrit shkoi edhe më larg ku brenda muajit tetor do të viheshin kushtëzime në përdorimin e dokumentave aktuale. Nëse dikush do të tentojë të udhëtojë jashtë shtetit me një pasaportë, të cilës i mbaron afati në dhjetor, nuk do të mund të udhëtojë pa pasur bashkë me pasaportën që skadon, edhe një dokument që vërteton që ai e ka bërë aplikimin për pasaportën e re. Po kështu shërbimet që lidhen me kartën e identitetit, nuk do të ofrohen nëse karta nuk shoqërohet me një dokument që provon se qytetari e ka bërë aplikimin për të renë. Deri këtu gjithçka është “OK”, por puna është se ku do t’i gjejnë këta qytetarët kuponat  e aplikimit?