Extra “Muratorja” Dua Lipa, kontribuon në ndërtimin e një kopshti në Tiranë

“Muratorja” Dua Lipa, kontribuon në ndërtimin e një kopshti në Tiranë

Dua Lipa, me anë të fondacionit “Sunny Hill”, ka dhënë kontributin e saj për ndërtimin e një kopshti në Tiranë, i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Dua është në Tiranë së bashku me familjen e saj dhe të dashurin, ndërsa ishin të pranishëm në ambientet e kopshtit të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në videon e postuar nga Veliaj në Facebook, Dua Lipa shfaqet edhe si një muratore, ndërsa mbjell edhe një pemë në ambientet e kopshtit.

“Faleminderit Dua Lipa, që po na jep një dorë me Kopshtin 42, i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili shumë shpejt do të mirëpresë 300 fëmijë në zemër të Tiranës.

Mirënjohje për Kujtimin dhe Arbenin nga Shqipëria, dy dizajnuesit e talentuar të bluzës, me shitjet e së cilës u mblodh fondi për mobilimin e kopshtit, që do të mbajë emrin e fondacionit të Duas, “Sunny Hill”.

Faleminderit edhe Dukagjin dhe Anesa Lipa, jeni dy prindër shembullorë me zemër të madhe!”, shkruan Veliaj në Facebook.

Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, Dua është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama.

Kryeministri Rama i kushtoi edhe një postim në Facebook, duke shprehur vlerësimet e tij për Dua Lipën.

“DUA LIPA që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju.

Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, u shpreh Rama.