Opinione Mustafa Nano: Po ju them broçkullën më të madhe

Mustafa Nano: Po ju them broçkullën më të madhe

Monologu i kësaj të enjteje në emisionin Provokacija në ABC News u fokusua te deklaratat e pavërteta që Mustafa Nano i quan broçkulla nga një masë e madhe njerëzish. Dhe këto sipas tij janë problem.

Monologu i plotë

Shikoni, një njeri që këput broçkulla nuk është ndonjë problem i madh. Problem është kur një masë e caktuar njerëzish këpusin broçkulla. Dhe në Shqipëri kjo ndodh shpesh. Dua të them se këtu te ne ndodh që një broçkull të thuhet nga një masë e madhe njerëzish, dhe të besohet nga një masë edhe më e madhe njerëzish. Për ilustrim po ju sjell broçkullën më të madhe që thuhet këto kohë këtyre anëve: PARTNERËT E HUAJ, SIDOMOS PËRFAQËSUESIT E TYRE NË TIRANË, AMBASADORË E DIPLOMATË TË NDRYSHËM, TË GJITHË KËTA JANË TË KORRUPTUAR. Kjo është broçkulla.

Mund të më thotë ndonjëri: Pse kjo na qenka një broçkull? Pse ti e përjashtoke korruptimin e tyre? Ok, përgjigja ime është shumë e thjeshtë: Unë nuk përjashtoj asgjë. Dhe nuk e vë dorën në zjarr për askënd. Unë nuk e di që ata janë të pakorruptuar, ashtu si nuk e di që ata janë të korruptuar. Mua thjesht nuk më intereson kjo gjë. Ajo që unë di është një tjetër. Dhe po shpjegohem. Ju lutem, më ndiqni: Një masë njerëzish në Shqipëri janë duke bërë një betejë politike kundër qeverisë, dhe në këtë betejë janë duke thënë gjëra të rëndësishme, gjëra që qëndrojnë, gjëra që nuk mohohen. Mirëpo këtë betejë po e bëjnë me mjete jo fort ortodokse, me protesta të vazhdueshme, me gjuhë të dhunshme, me rrethim institucionesh, me përpjekjet për të bindur të huajt se në Shqipëri është instaluar një diktaturë, me bojkotim zgjedhjesh, me bojkotim të parlamentit, me djegie mandatesh, me bojkotim zgjedhjesh ndoshta, apo e thashë këtë njëherë? Dhe kuptohet, me këtë mënyrë sjelljeje kanë vënë një bast shumë të rëndë. Në një farë mënyrë, janë duke luajtur një ruletë ruse. Dua të them se janë duke rrezikuar shumë, janë duke rrezikuar çdo gjë, janë duke rrezikuar edhe veten. E vetmja gjë që mund t’i shpëtojë në këtë rrethanë do të ishte një mbështetje nga brenda e një mbështetje nga jashtë. Dhe kjo mbështetje nga brenda u ka ardhur aq sa u ka ardhur, ndërsa nga jashtë nuk u ka ardhur asnjë çikë. E duket se nuk ka për t’u ardhur. Nuk ka për t’u ardhur së pari ngaqë të huajt për opozitën nuk kanë një mendim më të mirë sesa mendimi që kanë për maxhorancën. E së dyti për shkak të vendimit për të djegur mandatet parlamentare, të cilin ata nuk e kuptojnë. Në fakt, djegia e mandateve është një shpikje e çuditshme shqiptare.

Dhe është kjo gjë që i bën nervozë shqiptarët që nuk e duan qeverinë. Dhe për ta shfryrë këtë nervozizëm, kanë zgjedhur të thonë që të huajt janë të korruptuar. Jo zotërinj, të vetmit të korruptuar në këtë histori duhet t’i kërkojmë në Shqipëri, vetëm në Shqipëri. Duhet t’i kërkojmë te klasa jonë politike, te ajo që proteston e te ajo që qeveris. Dhe dini se cila është prova më e qartë e korrupsionit të kësaj klase politike? Është hapësira, ndikimi, fuqia e pushteti që u kanë lënë në dispozicion të huajve. Jo të huajve të korruptuar? Të huajve. Thjesht të huajve. Vetëm elitat sunduese të korruptuara e kanë bërë zakon t’ua krijojnë të huajve këtë luks. Hidhni një sy nëpër botë, e do të shihni se është kudo njësoj me vendet e vogla: Atje ku ka klasa politike të korruptuara, ka edhe të huaj që bëjnë ligjin.

Prandaj klasës sonë politike i duhet thënë: Ua keni liruar bashin e vendit? Ua keni lënë atyre qoshen, buxhakun? Qepeni atëherë!