Kulturë “Na ishte njëherë Perëndimi”, 10 sekrete të kryeveprës së Sergio Leones

“Na ishte njëherë Perëndimi”, 10 sekrete të kryeveprës së Sergio Leones

Në 91-vjetorin e regjisorit të madh, Sergio Leone, Corriere della Sera i rikthehet një prej kryeveprave të tij.

“Na ishte njëherë Perëndimi”, një prej ikonave të kinemasë western, i lançuar në vitin 1968, me kolonën zanore të Enio Morricone-s, ka disa “sekrete” që edhe shumë nga të pasionuarit më të mëdhenj pas filmave të këtij zhanri nuk i dinë.

Henry Fonda nuk donte të luante të keqin

Henry Fonda fillimisht e refuzoi rolin e vrasësit Frank. Sergio Leones iu desh të udhëtonte drejt SHBA-ve për ta bindur. Fonda e pyeti pse kishte zgjedhur pikërisht atë. Leone u përgjigj: “Imagjino: kamera tregon një burrë të armatosur nga beli e poshtë duke tërhequr armën dhe duke qëlluar drejt një fëmije që vrapon. Kamera afrohet në fytyrën e vrasësit dhe ky është … Henry Fonda”(deri atëherë, me një përjashtim, Fonda kishte luajtur vetëm personazhe pozitive). Leone dëshironte që audienca të tronditej. Fonda më në fund u bind.

Vetëvrasja e Al Mulock dhe cinizmi i Leones

Al Mulock, i cili luan një nga tre personat e armatosur në sekuencën e hapjes, bëri vetëvrasje duke u hedhur nga dritarja e një hoteli, siç ishte i veshur me kostumin e tij kauboj. Menaxheri i produksionit, Claudio Mancini, dhe skenaristi Mickey Knox, të cilët ishin ulur në një dhomë në të njëjtin hotel, panë trupin e Mulock që u përplas përtokë. Knox kujtoi në një intervistë se ndërsa Mancini po e vendoste Mulock në makinën e tij për ta çuar në spital, Sergio Leone i bërtiti: “Mundohu ta marrësh prapë kostumin! Na duhet kostumi!”.

Leone “ngel në klasë” pamjen e re të Fonda-s

Henry Fonda ishte përgatitur për rolin e të keqit dhe mbërriti në Itali me një pamje të re: një palë lente kontakti me ngjyrë kafe dhe mustaqe. Kur Sergio Leone pa pamjen e tij të re, ai e bëri të qartë se nuk i pëlqente. Leone kishte parashikuar plane-detaje të hyrjes së Fondës dhe dëshironte që publiku ta njihte menjëherë aktorin me sytë e tij blu.

Refuzimi i Eastwood dhe zgjedhja e Bronson

Sergio Leone fillimisht ia ofroi rolin e Harmonikës aktorit Clint Eastwood, por ai nuk pranoi sepse nuk dëshironte më të punonte me Leonen. James Coburn u afrua gjithashtu për rolin, por me sa duket oferta e tij ishte shumë e lartë. Përfundimisht, pjesa iu dha Charles Bronson, i cili më parë kishte refuzuar rolet në “Trilogjinë e Dollarit”.

Filmi u transmetua për dy vjet në një kinema në Paris

 

Sergio Leone preferonte gjithnjë të tregonte historinë e një kinemaje në Paris, ku filmi u transmetua për dy vjet rresht. Kur vizitoi kinemanë, Leone u rrethua nga fansa që donin autografin e tij. Projeksionisti i kinemasë ishte shumë më pak entuziast dhe duke iu drejtuar Leones, bërtiti: “Do të të vras! I njëjti film dy vjet me radhë! Dhe është kaq i ngadaltë!”.

Sergio Leone donte Sophia Lorenin në vend të Claudia Cardinales

Sergio Leone fillimisht donte që Sophia Loren të luante ish-prostitutën Jill McBain. Producenti Carlo Ponti, burri i saj, ishte i gatshëm të ofronte mbështetje të konsiderueshme financiare nëse aktorja bëhej pjesë e filmit. Leone përfundimisht ndryshoi mendje nga frika e famës dhe kokëfortësisë së Sophia Loren. Ai zgjodhi një tjetër yll italian, Claudia Cardinale, shoqen e tij të ngushtë, e cila pranoi të luante rolin e Jill edhe pa e lexuar skenarin.

Dueli i fundit

Dueli i fundit midis Frank dhe Harmonika është një citim i përsosur nga “Syri i ngrohtë i qiellit”, një film i vitit 1961 nga Robert Aldrich në të cilin përballen Rock Hudson dhe Kirk Douglas. Filmi ishte i preferuari i Bernardo Bertolucci, bashkëskenarist i “Na ishte njëherë në Perëndim”.

Dëshira e paplotësuar e Kirk Douglas

Kirk Douglas ishte admirues i flaktë i Sergio Leone dhe loboi për rolin e Cheyenne (roli më vonë iu dha Jason Robards). Fatkeqësisht ai nuk arriti ta bindte regjisorin italian.

Kolona e paharrueshme zanore

Ennio Morricone e kompozoi kolonën zanore të skenarit origjinal nga Sergio Leone dhe Bernardo Bertolucci. Skenari më pas pati disa modifikime, por muzika mbeti e njëjtë.

Buxheti, pagat dhe sheshxhirimi

Filmi kushtoi 5 milionë dollarë. Më shumë se gjysma e buxhetit të filmit u shpenzua për aktorët. Ndryshe nga “Trilogjia e dollarit”, i xhiruar ekskluzivisht në Spanjë, Sergio Leone xhiroi disa skena në Shtetet e Bashkuara në luginën ikonike Monument Valley, një nga vendet e preferuara të regjisorit të madh John Ford. “Na ishte njëherë Perëndimi” është “spageti western” i parë që u xhirua në Shtetet e Bashkuara.