Bota Nafta “pushton” brigjet e Izraelit, Tel Avivi akuzon Iranin për terrorizëm mjedisor

Nafta “pushton” brigjet e Izraelit, Tel Avivi akuzon Iranin për terrorizëm mjedisor

Prej dy javësh, brigjet izraelite kanë pësuar dëme të mëdha nga një sasi ende e papërcaktuar nafte që po rrezikon seriozisht ekosistemin e atij vendi.

Por sot, ministrja e Mjedisit, Gila Gamliel, ka drejtuar gishtin drejt një objektivi konkret, pikërisht rivalët e Iranit.

Sipas saj, nafta vjen nga një anije e quajtur Emerald, me flamur të Panamasë, që deri në dhjetor i përkiste një shoqërie të Libanit. Naftëmbajtësja, sipas burimeve të ministres, është nisur pikërisht nga Irani, ka ndaluar në Oman dhe pas kalimit të Suezit i është drejtuar Turqisë.

Por më pas, anija ka ndërprerë çdo komunikim, dhe në afërsi të brigjeve izraelite ka shkarkuar mijëra tonelata naftë.

Ministrja pranoi se nuk ka prova të qarta që lidhin anijen me regjimin iranian, edhe pse të gjitha hetimet, sipas saj, çojnë në atë drejtim.

Ndërkohë, nafta ka dëmtuar shumë specie kafshësh, duke shkaktuar ndër të tjera ngordhjen e një balene, por tani rrezikon edhe sezonin turistik në atë vend, në një moment ku Izraeli priste një rritje të atij sektori nga fakti që mendohet se e gjithë popullsia në atë kohë do të jetë e vaksinuar kundër pandemisë.