Politika Nano: Ndërkombëtarët duan të nxjerrin jashtë loje Metën dhe Berishën

Nano: Ndërkombëtarët duan të nxjerrin jashtë loje Metën dhe Berishën

Analisti dhe gazetari Mustafa Nano thotë se ka një dëshirë të ndërkombëtarëve për të nxjerrë jashtë loje si faktorë politikë Ilir Metën dhe Sali Berishën. Në një intervistë në studion e lajmeve të TvT, Nano tha se kjo vihet re sidomos në raportet që ndërkombëtarët kanë me kreun e PS-së dhe atë të PD-së.

“Amerikanët dhe partnerët ndërkombëtarë që në fillim Bashën e kanë parë me simpati sepse në këtë mënyrë i prisnin rrugën Sali Berishës. Vë re një lloj dëshire të ndërkombëtarëve të nxjerrin jashtë loje Metën dhe Berishën. Rama pothuajse i ka prerë këto lidhje, ndërsa Basha e ka më të vështirë, kjo është arsyeja pse ka një ngërç të ndërkombëtarëve në raport me të. Rama e mori partinë e tij me zor dhe demonstroi që donte të ndërtonte një PS sipas shijeve të veta. Ndërsa Basha nuk po e bën dot këtë”, tha ai.

Duke iu referuar specifikisht presidentit Meta, Nano tha se ka një ftohje të ndërkombëtarëve me të dhe kjo është parë qartë që në dekretin e tij për të anuluar zgjedhjet e fundit vendore.

“Presidenti është personazh politik i izoluar. Me të komunikon vetëm Berisha. Ndërkombëtarët i shkojnë në zyrë vetëm sa për adet. Tatëpjeta e tij filloi në momentin kur anuloi zgjedhjet lokale. Në atë moment, ai duhej të largohej nga presidenca. Nxori një dekret të rëndësishëm dhe nuk ia mori njeri në konsideratë. Ai është mes dëshirës për të qëndruar aty dhe për të dalë në lojën politike. Por është vonë për këtë të dytën. Meta po ta lërë presidencën dhe të shkojë aty ku ishte, do të ishte një lojtar i fortë. Ndërkombëtarët po të jesh faktor fillojnë të të njohin, por Meta duke qenë në Presidencë është thjesht hororifik”, tha ai.