Sport Napoli do spastrojë gjysmën e ekipit, mes tyre edhe Hysajn

Napoli do spastrojë gjysmën e ekipit, mes tyre edhe Hysajn

“Ju përzë të gjithëve”. Kjo është një përmbledhja e asaj që Aurelio De Laurentis po projekton nga Amerika. Presidenti i Napolit po përgatit revolucionin në skuadër, pas tensionit të krijuar, ku lojtarët u rebeluan përballë urdhrit që ekipi të qëndronte në grumbullim, si ndëshkim për ecurinë jo të mirë.

Drejtuesi i Napolit po përgatit “spastrimet” brenda grupit, ku do të largohen disa prej lojtarëve më të rëndësishëm. Ata cilësohen si iniciatorët e revoltës. Përpos emrave si Mertens, Callejon, Allan, Insigne, Koulibaly, në shitje do të dalë edhe kapiteni kuqezi, Elseid Hysaj. Edhe trajneri Ancelotti e rrezikon seriozisht postin në krye të skuadrës.

Mertens dhe Callejon kanë kontratë deri në verën e ardhshme me Napolin dhe kanë refuzuar rinovimin, ndaj drejtuesit e klubit do të provojnë t’i shesin në janar, për të përfituar sadopak nga kartoni i tyre, teksa për belgun interesohet Interi, ndërsa për spanjollin skuadra kineze e Dalian Yifang, që drejtohet nga Rafa Benitez.

Insigne ka marrë shiritin e kapitenit, por ka qenë shpesh herë në qendër të polemikave si me Ancelottin, ashtu edhe me drejtuesit, ndërsa shihet edhe si udhëheqësi i revoltës kundër vendimit të klubit për t’u grumbulluar.

Për këtë arsye, në verë do të tentohet shitja e tij, bashkë me atë të Koulibaly dhe Allan, dy lojtarë që kanë humbur stimujt te Napoli dhe që pritet të largohen për të mbushur arkat dhe për të synuar të tjera investime.

E njëjta situatë është edhe me Hysaj e Ghoulam, që kanë dalë jashtë planeve teknike dhe fakti që rolet e tyre janë të dubluara e po luajnë shumë pak, ka bërë që drejtuesit të tentojnë shitjen që në muajin janar, për të përfituar diçka dhe për t’u shkarkuar nga gjysma e pagës që ata marrin.

Plani i drejtuesve është që të arkëtojnë rreth 300 milionë euro nga largimi i këtyre lojtarëve, për të investuar më pas një pjesë të mirë të tyre në emra të rinj premtues, por edhe lojtarë me eksperiencë, që kushtojnë pak në treg.