Kuriozitete NASA, së shpejti në mision për të zbuluar çfarë ndodhet brenda universit!

NASA, së shpejti në mision për të zbuluar çfarë ndodhet brenda universit!

NASA ka njoftuar për një mision hapësinor dyvjeçar për të studiuar fillimet dhe evolucionin e universit dhe për të përcaktuar se sa të zakonshme janë përbërësit e jetës brenda sistemeve planetare në galaktikën tonë, Rrugën e Qumështit. Misioni do të quhet SPHEREx, dhe pritet të nisë në vitin 2023. Për këtë mision janë vënë në dispozicion 242 milionë dollarë – duke mos u përfshirë këtu kostot e nisjes.

“Ky mision i mrekullueshëm do të jetë një thesar i të dhënave unike për astronomët”, tha Thomas Zurbuchen, administrator i asociuar për Drejtorinë e Misionit të Shkencës të NASA-s. “Ai do të japë një hartë galaktike të paprecedentë që përmban çdo informacion nga momentet e para në historinë e gjithësisë dhe do të kemi të dhëna të reja për një nga misteret më të mëdha në shkencë: Çfarë e bëri universin të zgjerohej aq shpejt nga një shpërthim i Big Bang?”

SPHEREx do të përdorë dritën afër infra të kuqe, si dhe optike, për të vëzhguar qiellin çdo gjashtë muaj dhe për të mbledhur të dhëna nga më shumë se 100 milionë yje në Rrugën e Qumështit, si dhe 300 milionë galaktika. Teknologjia e përdorur për të krijuar SPHEREx është përshtatur nga ajo që përdoret në satelitët tanë dhe anijen e Marsit, tha NASA në një deklaratë. Ndërsa vëzhgon Rrugën e Qumështit, SPHEREx do të kërkojë molekula organike dhe ujë në zonat ku lindin yjet, të quajtura çerdhe yjore. Këto çerdhe, si dhe disa disqe rreth yjeve që ndihmojnë në krijimin e planetit të ri, mund të përmbajnë përbërësit për jetën siç e njohim. Kohët e fundit, gjëra të habitshme të tilla si kripë janë gjetur në këto zona.

“Unë jam shumë i emocionuar për këtë mision të ri”, tha administratori i NASA-s Jim Bridenstine në deklaratë. “Jo vetëm që e zgjeron flotën e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të misioneve hapësinore të dedikuara për zbulimin e mistereve të universit, por gjithashtu është një pjesë e rëndësishme e një programi shkencor që përfshin misionet që do të zhvillohen për zbulimin në detaje të universit”.