Opinione Natanyahu, i pashkatërrueshmi përballë kundërshtarëve

Natanyahu, i pashkatërrueshmi përballë kundërshtarëve

Nga Laurent Lozano*

Benjamin Netanyahu ka mbërritur në fund të një fushate të re elektorale, ku do te vendoset  e ardhmja e tij dhe do të dalë në pah stili i tij unik.

Në kërkim të një mandati të pestë, Netanyahu, 69 vjeç, duke përfshirë këtu 13 vite në pushtet, mund të kalojë në mes të korrikut rekordin e jetëgjatësisë kryeministrore, të vendosur nga ish-kryeministri tashmë historik, David Ben Gurion, nëse ai rizgjidhet në postin e shefit të qeverisë në zgjedhjet legjislative të 9 prillit.

Efikasiteti politik, madhështia e manovrimit, sukseset dhe tronditjet diplomatike, imazhi si garantuesi më i mirë i sigurisë së një vendi përballë kërcënimeve, të kombinuara këto me mjeshtërinë e komunikimit dhe rritjen ekonomike izraelite përgjatë viteve, e zvogëlojnë konkurrencën kundrejt Netanyahut.

Por, sondazhet parashikojnë një betejë të ngushtë me gjeneralin Benny Gantz, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, në krye të listës së qendrës së djathtë. Dhe, të gjithë votuesit e dinë se qoftë fitimtar apo humbës, Netanyahu do të përballet me akuzën për korrupsion.

I adhuruar nga disa, i urryer nga disa të tjerë, ai që të gjithë izraelitët e quajnë “Bibi”, megjithatë, ka njëzëshmëri në një pikë, atë të aftësisë së tij të mrekullueshme për t’u përballur me vështirësitë.

Në vitin 2015, pas zgjedhjeve të parakohshme që ai i provokoi si në vitin 2019, opinionistët e krahasuan fitoren e tij si një kthim nga vdekja.

“Na pëlqen apo jo”

Kryeministri më i ri në moshë i Izraelit, nga viti 1996 deri në vitin 1999, i cili është në detyrë që nga viti 2009, ky njeri i guximshëm është figurë dominuese e këtij çerekshekulli, ndërkohë që e përditshmja “Haaetz” në një artikull të saj u përpoq të imagjinonte ”një jetë pa Netanyahun”.

“Kur Izraeli të humbasë Bibin, me siguri do të ketë momente kur do t’i vijë keq që nuk ka një udhëheqës me status ndërkombëtar, të njohur nga të gjithë dhe na pëlqen apo jo, që pjesa tjetër e botës ngre kokën dhe i kushton vëmendje kur ai flet”, shkruan “Haaretz”.

Hebre dhe biri i një historiani ultrasionist, Netanyahu u lind më 21 tetor 1949 në Tel Aviv.

Është kreu i parë i qeverisë, i lindur pas krijimit të Izraelit në vitin 1948, i cili kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku studioi në institutin prestigjioz të Masaçusetsit ”Institute of Technology” (MIT), ku arriti të zotëronte në mënyrë të përsosur gjuhën angleze.

Me kthimin e tij në Izrael, shërbeu për pesë vjet me radhë në një njësi speciale dhe u plagos gjatë shpëtimit të pengjeve të një aeroplani të rrëmbyer nga palestinezët në vitin 1972.

Ngjarje që ka ndikuar thellësisht tek ai, pasi i kujton vdekjen e vëllait të tij Yoni, në një ndërhyrje të ngjashme.

Në fillim të viteve ’70 dhe ’80, ai krijoi lidhjet e para politike.

U bë anëtar i partisë ”Likud”, diplomat në ambasadën izraelite në Uashington, pastaj ambasador në OKB.

Më vonë ai u kthye dhe u bë anëtar i parlamentit në vitin 1988, ndërsa në 1996 ai u vendos në krye të qeverisë.

Imazhet filmike të një karakteri të stërvitur me mediet, ia bënë më të lehtë rrugën kudo ku ka qënë i ftuar për të mbrojtur të ardhmen dhe ekzistencën e Izraelit.

Ashtu si pamja e Netanyahut në tribunën e Kongresit amerikan në vitin 2015 duke sfiduar presidentin Barack Obama me denoncimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin.

“Vetëm të fortët”

”Amaleku” (sipas Biblës armiqtë e popullit izraelit – shën. përkth) për të, armiku i përjetshëm i hebrenjve është Irani, objekt i zemërimit të tij me islamizmin radikal.

Por, pas Holokaustit, populli hebre nuk e uli më kokën, “ata e marrin, ne e luftojmë dhe fitojmë”, thotë ai.

Ai krenohet me marrëdhëniet e reja me vendet arabe, nga pranimi i Izraelit në rangun e fuqisë teknologjike “globale”, madje edhe model për pjesën tjetër të botës. Ai gjithashtu mburret duke folur në mënyrë të njëjtë si “kokat e mëdha” të botës dhe marrëdhënien e tij të veçantë me presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump.

Imagjinoni përsëri: Netanyahu pjesëmarrës në inaugurimin “historik”, në ambasadën e SHBA-së të transferuar nga Tel Avivi në Jeruzalem, shkak edhe për kritika ndërkombëtare në vitin 2018.

Kundërshtarët e tij e akuzojnë atë si një autokrat, i cili nuk i la kurrë dredhitë dhe gënjeshtrat. Ata e fajësojnë atë për etje për pushtet, nepotizëm, fjalime të rrezikshme populist apo edhe antiarab që minon themelet demokratike të Izraelit.

”Ai, në të vërtete nuk ka dashur kurrë paqe me palestinezët”, thonë ata.

Për kundërshtarin e tij Benny Gantz, izraelitët duhet të zgjedhin më 9 prill midis një burri që flet anglishten e Bostonit, të veshur rëndë, që mban kostume të shtrenjta, kreu i një sistemi të varur nga kënaqësitë e pushtetit, korrupsionit dhe hedonizmit dhe një qeverie të përgjegjshme, autentike.

 “Vetëm më të fortit mbijetojnë”, thotë Netanyahu.

“Do të doja të më mbanin mend si mbrojtës i Izraelit, kjo është e mjaftueshme për mua”, thekson ai.

*AFP/ATSH