Bota “NATO, me qëllime imperialiste”, Putin: Operacioni në Ukrainë, sipas parashikimeve

“NATO, me qëllime imperialiste”, Putin: Operacioni në Ukrainë, sipas parashikimeve

Samiti i fundit i NATO-s, ku iu hap rruga e anëtarësimit Finlandës dhe Suedisë, nuk kaloi pa u komentuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Gjatë një deklarate për mediat nga kryeqyteti i Turkmenistani, kreu i Kremlinit dënoi ambiciet imperialiste të NATO-s duke akuzuar aleancën se po kërkon të afirmojë të ashtuquajturën supermaci të saj, përmes konfliktit në Ukrainë.

“Ukraina dhe mirëqenia e popullit ukrainas nuk është qëllimi i Perëndimit dhe NATO-s, por një mjet për të mbrojtur interesat e tyre. Udhëheqësit NATO-s duan të afirmojnë supremacinë dhe ambiciet e tyre perandorake”, deklaroi Putin.

Më tej, presidenti Putin shtoi se Rusia do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë nëse NATO vendos trupa dhe infrastrukturë në Finlandë dhe Suedi, pasi të bashkohen me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja.

“Suedia dhe Finlanda duan të anëtarësohen në NATO? Duhet të kuptojnë se më parë nuk ka pasur asnjë kërcënim, ndërsa tani nëse kontingjentet ushtarake dhe infrastruktura do të dislokohen, do të përgjigjemi në mënyrë të ngjashme dhe do të krijojmë kërcënime të barabarta për territoret nga vijnë kërcënimet”, shtoi ai.

Në fund, kreu i Kremlinit deklaroi se operacioni special në Ukrainë po vijon sipas të gjitha parashikimeve.

“Forcat ruse po përparojnë në Ukrainë dhe po arrijnë objektivat e vendosura nga operacioni special ushtarak. Ushtria ruse nuk godet objektivat civile”, siguroi Putin.