Ekonomi NBG ikën për 25 milionë euro, do të blihet nga ABI Bank

NBG ikën për 25 milionë euro, do të blihet nga ABI Bank

Banka Kombëtare e Greqisë pritet të përfitojë rreth 25 milionë euro nga shitja e degës së saj në Shqipëri.

Sipas burimeve nga sektori bankar, kjo vlerësohet të jetë shifra e përafërt e shitjes së NBG Bank Shqipëri, që pritet të zyrtarizohet gjatë këtyre ditëve.

Grupi bankar grek ka pranuar në muajin nëntor ofertën e Bankës Amerikane të Investimeve dhe palët kanë qenë në negociata për mbylljen e kontratës së shit-blerjes dhe të detajeve teknike të lidhura me transaksionin.

Shitja e NBG Bank Shqipëri është pjesë e planit të ristrukturimit të grupit bankar grek, që parashikon shitjen ne aseteve jashtë Greqisë dhe konsolidimin e aktivitetit bankar në tregun helen.

Shitja e bankës në Shqipëri pason shitjen e filialit rumun, Banka Romaneasca, te banka hungareze OTP në korrik të vitit të kaluar.

Në Shqipëri, NBG zotëron rreth 40 miliardë lekë asete, për një pjesë tregu rreth 2.8%.

Pas blerjes së NBG, Banka Amerikane e Investimeve pritet të dyfishojë vlerën e aktiveve në zotërimin e saj, në rreth 81 miliardë lekë, mbështetur kjo në statistikat e shtatorit 2017.

Kjo blerje do ta bëjë ABI Bank bankën e gjashtë më të madhe në tregun shqiptar, me afro 5.65% të aseteve totale të tregut, shumë afër Societe Generale, që mban vendin e pestë, me 5.77%, raporton Scan.