Kulturë Ndahen çmimet e letërsisë për të rinj, kush janë tre fituesit

Ndahen çmimet e letërsisë për të rinj, kush janë tre fituesit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka prezantuar tre fituesit e fondit që mbështet autorët e rinj në letërsinë shqipe.

E pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shprehu mbështetjen e saj për nismat në kuadër të mbështetjes së krijuesve të rinj, nisma këto të artikuluara nga QKLL-ja që në krijimin e saj.

Në këtë konkurs morën pjesë 16 autorë të rinj, ku veprat janë propozuar pranë Qendrës nga vetë botuesit.

Juria, e kryesuar nga dramaturgu Stefan Çapaliku dhe gazetarja Arta Marku shpalli fitues tre autorë.

Fitues janë Nurie Emrullai në gjininë e poezisë, Dionis Prifti në atë të prozës dhe Ledian Gjeci në gjininë e dramës.

“Nurie Emrullai, me librin poetik ‘Lëre dashurinë të vijë si të dojë’, si autore e një poezie me theks të fortë bashkëkohor, të përpunuar mbi parime të kthjellëta estetike, spontane në figuracion dhe e struktuar qartë në narracionin e vet.

Dionis Prifti, me librin me tregime ‘Bar Sahara’, si autor i një tufë tregimesh, në të cilat realiteti nuk pasqyrohet, por interpretohet mbi parime surrealiste, me anën e një stili poetik dhe mjaft vetjak.

Ledian Gjeçi, me dramën ‘Pak pakt’, si autor i një vepre të mirërealizuar në të gjithë komponentët e saj: tematikë e mprehtë, ndërtim solid karakteresh, konflikt i thekshën dramatik”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Librit.

Fondi për mbështetjen e autorëve të rinj vjen për të dytin vit radhazi nga Qendra e Librit për të mbështetur emra të rinj në letërsinë shqipe.