Sport Ndahet nga jeta legjenda e basketbollit pogradecar

Ndahet nga jeta legjenda e basketbollit pogradecar

Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-trajneri i basketbollit pogradecar Stasi Vako. Njeriu që gjithë jetën e kaloi në parketin e kësaj loje, aq sa për vite të tëra e mbajti koshin e femra liqenore mes skuadrave më të mira të vendit.

Që nga viti 1961 kur dhe ndërpret studimet e larta ushtarake në Ukrainë, Stasi Vako do t’i përkushtohej vetëm basketbollit për ta bërë këtë sport më të ndjekurin në qytetin e tij. Edhe në kushte kur ekipi stërvitej e luante në një kënd të vogël sporti. Aty ku dolën shumë basketbolliste të talentuara.

Gjate jetës sportive Vako ka drejtuar edhe ekipin e meshkujve të Pogradecit ku dhe ka nxjerrë lojtarë të cilet jo vetëm kanë luajtur me ekipet më të mira të vendit, por dhe kombëtaret e basketbollit.

Me ikjen e “Tasit”, basketbolli ka humbur trajnerin e njohur që mbeti një jetë të tërë në parket. Aq sa vitet e fundit kishte dëshirë të stërviste edhe fëmijët e sportistëve me të cilët bëri historinë e basketbollit pogradecar.