Ekonomi Ndalet rënia e euros, dollari tjetër nivel të ri të ulët

Ndalet rënia e euros, dollari tjetër nivel të ri të ulët

Euro ka ndalur rënien në tregun e brendshëm gjatë ditës së sotme, pas dy javësh radhazi kur kishte shënuar vetë rënie.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot me 132.66 lekë, rreth 0.02 lekë më shumë se një ditë më parë, raporton Monitor.

Ndërsa dollari ka vijuar të bjerë, duke arritur një nivel të ri të ulët të këmbimit ndaj lekut.

Një dollar këmbehej sot sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 106.07 lekë, 0.19 lekë më pak se një ditë më parë.

Në bursat ndërkombëtare euro ka vijuar të mbetet e fortë përkundrejt dollarit. Sipas Financial Times, një euro këmbehet sot me 1.2486 dollarë. Në bazë vjetore euro është çmuar në bursat ndërkombëtare me gati 17 për qind. Euro kapi nivelin më të lartë të tre viteve përkundrejt dollarit duke u këmbyer me 1.2555 dollarë.

Rënia e Euros

Euro ra ndjeshëm këtë javë në tregun e brendshëm, ndonëse në bursat ndërkombëtare ajo u ngjit në 1.24 USD, në nivelin më të lartë të tre viteve.

Ekspertët e shpjeguan këtë ecuri me faktorë që lidheshin tërësisht me tregun e brendshëm.

Ekspertët e agjencive më të mëdha të këmbimit valutor në vend, të kontaktuar nga Monitor, pohuan se arsyeja kryesore e kësaj rënieje të vazhdueshme lidhet me efektin psikologjik të deklarimeve të Bankës së Shqipërisë për fushatën që ka ndërmarrë për të ulur përdorimin e euros në ekonomi.

Efekti psikologjik i shtohet faktit që shkurti është përgjithësisht një muaj i dobët për qarkullimin në ekonomi, duke ndikuar në një kërkesë të ulët për valutat.