Aktualitet Ndalimi i 4 personave për grabitjen në Rinas, policia jep detaje

Ndalimi i 4 personave për grabitjen në Rinas, policia jep detaje

Policia e Shtetit ka konfirmuar zyrtarisht me anë të një njoftimi për shtyp ndalimin e 4 personave, si autorë të dyshuar të përfshirë në grabitjen e 9 Prillit në Aeroportin e Rinasit.

Ata janë Oltian Veseli, 38 vjeç, banues në Krujë, Alkon Bengasi, 34 vjeç, banues në Elbasan, me banim të përkohshëm në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, Renaldo Sula, 25 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan dhe Saimir Çela, 28 vjeç, lindur në Kajan Elbasan dhe banues në Elbasan.

Policia sqaron se gjatë ndalimit të këtyre personave janë gjetur prova që pritet të zbardhin plotësisht këtë ngjarje.

“Gjatë operacionit për ndalimin e këtyre shtetasve janë përdorur teknika speciale hetimore dhe janë përfshirë strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Gjithashtu gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, prova të shumta të cilat do të shërbejnë për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes“, thotë policia në njoftimin për mediat.

Mbi të ndaluarit rëndojnë një sërë akuzash, si vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, vrasje e punonjësve të policisë, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

Në grabitjen e ndodhur në pistën e avionëve në Aeroportin e Rinasit mbeti i vrarë një prej grabitësve, Admir Murataj, ndërsa 4 bashkëpunëtorët e tij arritën të largoheshin me 6.5 milionë eurot e grabitura.