Aktualitet Ndalohet inspektori i policisë në Pogradec, kishte “shënjestër” të huajt

Ndalohet inspektori i policisë në Pogradec, kishte “shënjestër” të huajt

Pogradec | Më datë 17.05.2022, nga ana oficerëve të policisë gjyqësore të Drejtorisë Rajonale të AMP Korçë u krye ndalimi i punonjësit të policisë të Seksionit të Qarkullimit Rrugor në DVP Korçë, Inspektor E.Q., i dyshuar për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ndalimi i tij u krye pas ankesës së një shtetasi nga Kosova, i cili pretendonte se i ishte vendosur një masë administrative në kundërshtim me ligjin në vlerën 6 mijë lekë.

Ai sqaronte se punonjësit të policisë E.Q. i kishte dhënë shumën prej 50 euro për shlyerjen e kësaj mase administrative.

Nga veprimet hetimore të kryera pas sekuestrimit të bllokut të masave administrative të punonjësit të policisë E.Q., rezulton se masa administrative me numrin përkatës të serisë është me vlerë 1 mijë lekë, gjë e cila tregon mospërputhje me fletën e masës administrative të paraqitur nga denoncuesi.

Në vazhdim të këqyrjes së blloqeve të administruar nga punonjësi i policisë, konstatohen raste të ngjashme edhe për shtetas të tjerë, kryesisht të huaj, për të cilat po bashkëpunohet me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, me qëllim dokumentimin e plotë.

Lidhur me këtë rast, Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

“AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090”.