Kryesore Ndarje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut? Rama: Do ta përballojmë bashkë

Ndarje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut? Rama: Do ta përballojmë bashkë

Shqipëria dhe BE-ja zhvilluan këtë të hënë takimin e 11 të Këshillit të Stabilizim Asociimit. Në përfundim pati një konferencë për shtyp ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, Përfaqësuesi i Lartë në BE, Josep Borrell dhe eurokomisioneri Oliver Varhelyi.

Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij se Shqipëria i ka kryer detyrat e saj për të zhvilluar konferencën e parë ndërqeveritare. Ai u shpreh se detyrat nuk kryhen sepse i kërkon BE-ja, por sepse e kërkon e ardhmja.

“Theksohet nga ju që Shqipëria ka bërë gjithçka duhej të bënte për çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ne e dimë si shkojnë gjërat, por gjëja më e rëndësishme për ne është që e kemi bërë punën tonë dhe jemi përherë shumë të vëmendshëm të dëgjojmë Komisionin, sepse Komisioni është mekanizmi më i lartë vlerësues mbi baza faktike të progresit të një vendi. Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, shpresoj që Plani për Investimin në Ballkan i prezantuar nga eurokomisioneri Varhelyi është një instrument jashtëzakonisht i dobishëm për të forcuar ekonomitë tona, për ta bërë të ardhmen tonë më të sigurt dhe më të mirë, ndërkohë që luftojmë të ecim përpara në procesin integrim. Ne nuk i bëjmë këto reforma se na i kërkoni ju, por këto reforma janë ajo ç’ka u detyrohemi brezave që vijnë. BE-ja është një bekim për të njerëzit tanë. Mund të duket si mallkim në rrethanat aktuale, por është një dhimbje që duhet të merremi në emër të së ardhmes. Nuk ka asgjë në të ardhmen tonë që të krahasohet me BE-në”.

Kryeministri Edi Rama tha se mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk varet vetëm nga vendi ynë. “Duhet ta kuptojmë këtë. Jetojmë në një kohë tjetër, jo më e mira për ne. Kur ishte koha jonë, ishim të këqij ne. Tani jemi në formë të mirë, por duhet ta kuptojmë që nuk është koha më e mirë”, tha Rama.

I pyetur për një ndarje të mundshme mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, këtë herë për shkak të problemeve të Shkupit me Bullgarinë, Rama shtoi: “Shpresoj që të mos ndodhë ndarja, shpresojmë që të vijojmë të ecim bashkë. U tmerrova që në sekondën e parë që dëgjova se kishte nisur një debat mbi identitetin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shpresoj që liderët e mençur të dy vendeve ta zgjidhin mes tyre këtë. Vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut të mos shpresojnë për ndihmë nga Berlini apo Parisi, sepse nuk do të vijë. Por ta zgjidhin mes tyre. Të lënë historianët të merren me historinë. Nëse do të na thonë që keni bërë punë të mirë, por le të presim për fqinjët, atëherë nuk ka problem. Do ta përballojmë bashkë”.