Bota Ndërlikohet “Brexit”, Johnson mendon zgjedhjet e parakohshme

Ndërlikohet “Brexit”, Johnson mendon zgjedhjet e parakohshme

Pikërisht kur mendohej se çështja e Brexit po shkonte drejt një zgjidhje, me siglimin e një ujdie të re mes Londrës dhe Brukselit, ajo po ndërlikohet edhe më shumë.

Ligjvënësit britanikë i dhanë shpresa të rreme kryeministri Boris Johnson, kur fillimisht votuan në favor të marrëveshjes së divorcit ditën e martë, por në votimin e dytë deputetët refuzuan me vetëm 14 vota më shumë, propozimin e qeverisë për miratimin e projektligjit brenda 3 ditëve. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë për të konkretizuar shkëputjen nga unioni brenda afatit të 31 tetorit.

Pavarësisht disfatës dhe kërcënimit të opozitës për të zhvilluar një referendum të ri, Johnson e hodhi “topin” në fushën e Bashkimit Europian. Ai tha do të “ngrijë” projektligjin e tij për Brexit, në pritje të vendimit të Bashkimit Europian, për t’i garantuar ose jo Londrës një tjetër shtyrje.

“Shpreh zhgënjimin tim që Dhoma e Përfaqësuesve votoi edhe një herë për të shtyrë Brexit, në vend që të mbështeste afatin kohor që do të garantonte divorcin me ujdi në 31 tetor. Tani përballemi me pasiguri të reja, pasi Brukseli duhet të ndajë mendjen se si t’i përgjigjet kërkesës për shtyrje. Deri në marrjen e një vendimi ne duhet të ngrijmë këtë legjislacion”, u shpreh kryeministri Johnson.

Burime të Downing Street thanë se nëse Brukseli do të mbështesë shtyrjen, kryeministri do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Johnson u detyrua nga një ligj i aprovuar në parlament, t’i kërkojë të shtunën Brukselit një tjetër shtyrje të afatit me 3 muaj.  Por kryeministri është kundër një mundësie të tillë dhe shpreson që blloku do t’i thotë jo kërkesës.