Kryesore Ndërprerja e kampionatit, Duka i shkon Ramës në zyrë, kërkon rikthimin e...

Ndërprerja e kampionatit, Duka i shkon Ramës në zyrë, kërkon rikthimin e policisë në stadiume

Ndërprerja e kampionatit për shkak të dhunës në ndeshjen Kamza-Laçi ka ulur në tavolinë kryeministrin Edi Rama me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka.

Takimi është zhvilluar pasditen e sotme në Kryeministri, ndërsa mësohet se ka zgjatur mbi një orë.

Duka ka qenë i vetëm në selinë e qeverisë, ndërsa ende nuk dihet nëse palët kanë arritur akordin për rikthimin e policisë së shtetit në stadiume.

Kampionati u ndërpre pasi arbitrat bojkotuan për shkak të dhunës. Kërkesa e shoqatës së arbitrave për rikthimin e policisë në stadiume për të garantuar sigurinë erdhi pas kërcënimeve nga FSHF-së më parë për ndërprerje të kampionatit.

Por tashmë që një gjë e tillë u bë fakt nga arbitrat, detyroi palët të ulen në tavolinë.

Por Policia e Shtetit në bazë të ligjit për sportin miratuar në 2017 është jashtë stadiumeve, pasi për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve përgjigjet ekipi organizator me polici private.

Ndërsa policia e shtetit ndërhynë vetëm në momentin që situata precipiton në dhunë, si në rastin e fundit në Kamzë që solli kaosin në futbollin shqiptar.