Politika Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike, Irani: Shqipëria iu bashkua SHBA-së dhe Izraelit

Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike, Irani: Shqipëria iu bashkua SHBA-së dhe Izraelit

“Brenda 24 orëve, i gjithë stafi diplomatik dhe teknik i Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit duhet të lerë Shqipërinë”. Është ky afati i vendosur nga qeveria shqiptare pasi e bën përgjegjës Iranin për sulmin kibernetik të 15 Korrikut ndaj portalit të shërbimeve publike të vendit.

Pas këtij vendimi, pasditen e sotme ka reaguar përmes një deklarate zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Ka’nani i cili ka hedhur poshtë pretendimet e qeverisë shqiptare kundër Republikës së Iranit.

Agjencia e Lajmeve Iraniane MEHR, ka raportuar se Ministria e Jashtme Iraniane e “konsideron vendimin e qeverisë shqiptare për të ndërprerë marrëdhëniet politike me Iranin bazuar në pretendime të pabaza, një veprim të pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

“Republika Islamike e Iranit kundërshton dhe dënon çdo përdorim të hapësirës kibernetike si mjet për të sulmuar infrastrukturën e vendeve të tjera”, tha zëdhënësi iranian.

Ai tha se vendet e treta që mbështesin terrorizmin kanë luajtur një rol kyç në vendimin sipas tyre të “gabuar” të Shqipërisë.

Më tej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme iraniane thuhet se deklaratat e SHBA-së dhe Izraelit pas vendimit të qeverisë shqiptare tregojnë “një komplot dhe fushatë të re kundër Iranit”.