Kryesore Ndërron jetë nga Covid-19 ish-deputeti Marko Bello

Ndërron jetë nga Covid-19 ish-deputeti Marko Bello

Marko Bello, ish-deputet i Partisë Socialiste është ndarë sot nga jeta për shkak të COVID. Bello me një karrierë të gjatë në politikë dhe diplomaci nuk ka mundur të fitojë betejën me koronavirusin.

Bello ka humbur jetën në moshën 59-vjeçare në një spital në Turqi, aty ku dhe po merrte trajtim të specializuar për virusin.

Presidenti Ilir Meta, një nga miqtë e Marko Bellos ka dhënë lajmin për ndarjen e tij nga jeta dhe shkruan se është tronditur kur është njoftuar.

“Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor! Zoti ju dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes!”, shkruan Presidenti.

Edhe ish-deputeti i PS, Namik Dokle shkruan se është shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të kolegut dhe mikut të tij.

“Sa i trishte! Sa i pabesueshem ky lajm i mesnates per vdekjen e mikut, kolegut, Marko Bello. Pa i mbushur ende te gjashtedhjetat, na e mori covidcolera! C’behet keshtu? Po na behet fejsbuku varreze!!! Lamtumire, i dashur Marko! Nuk do ta harroj kurre buzeqeshjen tende te pandare, shakane tende mbushur me miresi…”, shkruan Dokle.

Karriera e Marko Bellos

Marko Bello ka qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nga viti 2001-2013. Ai gjithashtu ka mbajtur postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.

Në vitet 1997-2000, Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas zëvendës ministër i Mbrojtjes.