Aktualitet Covid-19 i merr jetën mjekut pneumolog

Covid-19 i merr jetën mjekut pneumolog

Një tjetër mjek ka humbur jetën nga koronavirusi në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Anibal Byberi, 53-vjeç, humbi betejën me Covid-19 këtë të hënë, ndërsa ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Nroqi”.

Sipas Ministrisë, mjeku pneumolog, me origjinë nga Tropoja, është konfirmuar pozitiv me koronavirus pak ditë më parë dhe vijonte trajtimin në banesë. “Pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, mjeku Byberi është paraqitur në Urgjencën e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, ku pavarësisht ndihmës së menjëhershme të ofruar nga stafi mjekësor, fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e insuficencës së rëndë respiratore”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Mjeku vuante nga psoriasis, një sëmundje lëkure dhe obeziteti. Pas shumë vitesh punë në vendlindjen e tij, ka punuar për disa kohë si mjek në burgun 302, ndërsa aktualisht nuk ishte në punë, ndërsa këto ditë do të konkurronte në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, bëri të ditur Ministria.