Politika Ndërtimet pa leje, Rama: T’i japim goditje përfundimtare këtij fenomeni! Edhe Spanja...

Ndërtimet pa leje, Rama: T’i japim goditje përfundimtare këtij fenomeni! Edhe Spanja e ka pasur këtë problem

Kryeministri Edi Rama u shpreh se ndërtimeve pa leje i duhet dhënë një goditje përfundimtare. Kreu i qeverisë theksoi gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se ky fenomen është i shëmtuar dhe fyes. Kreu i qeverisë theksoi se sa i përket ndërtimeve pa leje qeveria e mori vendimin për konfiskimin e tyre pasi sistemi i drejtësisë nuk është akoma i pastruar tërësisht.

“Sot jemi në kushtet kur duhet t’i japim një goditje përfundimtare këtij fenomeni kaq të shëmtuar dhe kaq fyes. E përsëris prej disa vitesh, e përsëris në takimet me Policinë e Shtetit, me kryetarët e bashkisë, që është e pamundur që ne të vendosim në kontroll të plotë dhe të rreptë në territor kur vjen fjala për ata që ndërtojnë një avlli, një çati, apo qoftë edhe një dhomë, apo qoftë edhe dy dhoma, në fshatra të thellë dhe të vazhdojë të ketë shans për  parelinjtë dhe për biznesmenët e mëdhenj të këtij vendi që të hapen ndenjësesh dhe të bëjnë metra katrorë shtesë mes qyteteve apo në kryeqytet. Kjo është një luftë që nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Spanja e ka pasur këtë problem deri jo shumë vite më parë. Çështja është si ti japim një goditje finale? Po ju them që kjo që kemi bërë me vendimin e qeverisë ka ardhur si rezultat i nxjerrjes ë një konkluzioni përfundimtar, bëj ligje sa  të duash, bëj kontrolle sa të duash, bëj denoncime sa të duash, për sa kohë ky sistem drejtësie në nivelin e prokurorive dhe gjykatave të rretheve gjyqësore nuk është akoma i pastruar tërësisht je i destinuar të llocësh dhe turpërohesh”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se që prej ditës së parë që kur ka hyrë në politikë ka filluar betejën kundër ndërtimeve pa leje.